Erdogan: Nuk do ta harrojmë tradhtinë ndaj vendit dhe popullit tonë

“SA HERË QË QYTETARËT TANË E KUJTOJNË KËTË TRADHTI TË PAPARË, ATA DO TË BASHKOHEN MË FORT PËRRETH PAVARËSISË DHE TË ARDHMES TONË”

Duke iu drejtuar kombit në përvjetorin e pestë të përpjekjes për grusht shteti të 15 Korrikut 2016, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha: “Kjo përpjekje grushti shteti, e cila filloi mbrëmjen e së premtes të 15 Korrikut 2016 dhe e cila përfundoi të nesërmen në mëngjes duke u shkelur me këmbë nga populli ynë, ka zënë vendin e saj në historinë tonë si shembull. Sa herë që qytetarët tanë do ta kujtojnë këtë tradhti të paparë ndër breza, ata do të bashkohen më fortë përreth pavarësisë dhe të ardhmes tonë”.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan iu drejtua me një fjalim kombit nga Kompleksi Presidencial si pjesë e programeve përkujtimore të 15 Korrikut – Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi.

Fjalimin e tij drejtuar kombit, i cili u transmetua drejtpërdrejt, presidenti Erdoan e filloi kështu: “Populli im i dashur, ju përshëndes nga zemra dhe me miqësi. Sot është 5-vjetori i sulmit më të poshtër dhe një nga rezistencat më të lavdishme të shtetit tonë dhe kombit tonë. Unë do të doja ta filloja fjalën time duke uruar mëshirën e Zotit për 251 dëshmorët tanë që gjatë luftës së tyre atë natë ranë përtokë “po aq të lavdishëm sa luanët e Bedrit”, sikur të hynin në një kopsht trëndafilash.

Dëshmorët tanë, historia e secilit është një epope më vete, u dha mësimin e merituar atyre që përgatitën qefinin e këtij populli, me heroizmin e tyre aq të madh aq sa nuk nxë historia. Ne përpiqemi të tregojmë besnikërinë tonë ndaj dëshmorëve tanë, të cilët kanë arritur gradën më të lartë para Zotit dhe që janë gradat më të ndershme pas profecisë, duke mbrojtur dhe çuar në vend amanetin që na kanë besuar.

“NE NUK DO TA HARROJMË KURRË TRADHTINË NDAJ VENDIT DHE POPULLIT TONË”

Unë gjithashtu do të doja të shprehja mirënjohjen time të thellë për vëllezërit dhe motrat tona, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të moshuarit, studentët dhe mësuesit, punëdhënësit dhe punëtorët, nëpunësit civilë dhe tregtarët, me pak fjalë, njerëz të të gjitha moshave, të gjitha profesioneve dhe shtresave shoqërore, të cilët u nderuan me statusin e veteranit në luftën e tyre”, duke mbushur rrugët dhe sheshet, duke ua bllokuar rrugën puçistëve në çdo vend që i shikonin, duke e zmbrapsur këtë dyndje të pamoralshme duke i bërë trupat e tyre mburoja dhe duke hequr dorë nga nënat e tyre, të dashurit e tyre, fëmijët e tyre dhe jeta.”

Dashuria për pavarësinë e kombit tonë që e adhuron Zotin, flamurin tonë që valëvitet lirshëm dhe thirrjet tona për lutje që do të kumbojnë përgjithmonë mbi vendin tonë, të jenë dëshmitarë se ne nuk kemi për ta harruar kurrë tradhtinë ndaj vendit dhe kombit tonë. Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë llogari për këtë poshtërsi nga të gjithë tradhtarët që kemi kapur dhe identifikuar. Ne gjithashtu do t’i ndjekim këta bashkudhëtarë të djallit edhe në ahiret, deri në Ditën e Gjykimit.

Populli im i dashur, kjo përpjekje për grusht shteti, e cila filloi mbrëmjen e së premtes të 15 korrikut 2016 dhe përfundoi ditën tjetër nën këmbët e kombit tonë, ka zënë vendin e saj në historinë tonë si një shembull. Sa herë që qytetarët tanë do ta kujtojnë ndër breza këtë tradhti të paparë, ata do të bashkohen më fortë përreth pavarësisë dhe të ardhmes sonë.

Sigurisht, vendi ynë ka qenë i ekspozuar ndaj grushteve të shumta të shtetit, përpjekjeve për grusht shteti dhe sulmeve terroriste gjatë gjithë historisë së Republikës. Por ajo që ndodhi atë natë na tregoi se si ata tradhtarë, të cilët i drejtuan armët kundër shtetit të tyre, njerëzve të tyre dhe derdhën gjakun e njerëzve të pafajshëm, mund të shndërrohen në krijesat më të mjerueshme në botë.

Në të vërtetë, një nga elementët që i bëjnë kombet të jenë kombe, janë fitore të tilla në historinë e tyre, që janë të brumosura me hidhërim, shpirt dhe gjak. Ne e dimë që atdheu ynë mijëravjeçar nuk është një kopsht trëndafilash pa ferra dhe ne çdo ditë e kalojmë pothuajse duke luftuar. Ne po paguajmë çmimin e mbajtjes dhe e bërjes së kësaj toke një atdhe për një mijë vjet. Kjo është një gjeografi, e cila është e preferuari për çdo vend dhe shoqëri në botë. Është një fakt që kur shohim se çfarë ka ndodhur në rajonet e afërta gjatë një-dy shekujve të fundit, ne marrim shpërblimin tonë duke shpëtuar unitetin tonë, solidaritetin tonë, vëllazërinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen tonë.

“ATA NUK E KUPTOJNË QË NE I DALIM NË MBROJTJE NJË CIVILIZIMI DHE TRASHËGIMIE TË MADHE HISTORIKE”

Sulmet që kemi pësuar nën petka të ndryshme gjatë tetë viteve të fundit tregojnë se lufta jonë për të mbrojtur atdheun tonë do të vazhdojë. Objektivi i skenarëve të vënë në skenë përmes organizatave terroriste me maskime të ndryshme, duke filluar që nga PKK e deri tek DAESH dhe FETO është të gjunjëzojnë vendin tonë, të robërojnë njerëzit tanë, të plaçkitin tokat tona. Standardet e dyfishta kundër Turqisë në çdo platformë ndërkombëtare ku jemi prezent janë një dimension tjetër i të njëjtit skenar.

Ata që vijnë nga mijëra, dhjetëra-mijëra kilometra larg me pretekstin e luftës kundër terrorizmit; ata që derdhin gjak dhe lot në gjeografinë tonë të zemrës, ata që errësojnë të ardhmen e miliona njerëzve, janë të zemëruar që nuk arrijnë ta bëjnë dot Turqinë të ketë të njëjtin fat. Ata që mendojnë se po e përdorin vendin tonë si mburojë për sigurinë dhe komoditetin e tyre nuk e kuptojnë dhe nuk arrijnë ta kuptojnë se ne në fakt po mbrojmë një civilizim të madh dhe trashëgiminë historike. Përpjekjet dhe sakrificat tona për të siguruar paqen, qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë janë në thelb shenjat e një zgjimi që forcohet në rrugën për ndërtimin e një Turqie të madhe dhe të fuqishme.

Ata që u përpoqën të krijonin trazira shoqërore me ngjarjet Gezi nuk e kuptuan që në fakt ata bënë në trupin tonë vaksinën e unitetit dhe solidaritetit. Ata që donin të ‘kapnin’ shtetin tonë duke eliminuar vullnetin e popullit përmes përpjekjeve për grusht shteti nuk arritën të kuptonin se me këtë kanë konsoliduar edhe më shumë hallkën e fundit të traditës mijëravjeçare. Ata që i kërcënuan tokat tona duke përdorur organizata terroriste nuk arritën të kuptonin se ata në të vërtetë po forconin shoqërinë tonë me atë që po bënin.

“ATA NUK MUND TA PENGOJNË NDËRTIMIN E TURQISË SË MADHE DHE TË FUQISHME”

Ata që u përpoqën të shkëputin vendin tonë nga rajonet me të cilat ai ka marrëdhënie të thella historike dhe kulturore, nga lindja në perëndim, veriu në jug, në çdo drejtim, nuk e kuptuan se ata po kontribuonin në krijimin e lidhjeve shumë më të forta të përzemërta. Ata, që kërkesat tona për të drejta dhe drejtësi, të cilat ne i kemi shprehur vetëm e përvetëm në emër të mbarë njerëzimit, i konsiderojnë si hipokrizi politike siç bëjnë vet, nuk e kanë kuptuar sekretin e të qenit zëri, fryma dhe shpresa e të shtypurve. Ashtu siç nuk mund ta kuptojnë se si kombi ynë ndaloi automjetet më moderne të luftës në botë me duart e zhveshura natën e 15 Korrikut, ata nuk mund ta kuptojnë arsyen e pozicionit të vendit tonë për çështje të tjera.

Ndërsa ne, atë që duam për veten tonë, atë duam edhe për të gjithë gjeografinë tonë, për të gjithë miqtë tanë, për të gjithë njerëzimin. Pasi çdo gjë e bëjmë sinqerisht dhe jo për të fshehur qëllimet e tjera, ne jemi të pranuar dhe të dashur kudo që të shkojmë. Ne e bëmë atë dje në Siri, e bëmë atë në Libi, e bëmë atë në Karabak. Nesër, shpresoj se do të qëndrojmë përkrah vëllezërve tanë në Afganistan dhe gjetkë me po të njëjtin sinqeritet dhe të njëjtën drejtësi.

15 korriku nuk është vetëm simboli i mbrojtjes së pavarësisë dhe të ardhmes në vendin tonë, por edhe i këtij vizioni madhështor. Sigurisht, si çdo problem tjetër, kjo vlen për sytë që duan të shohin, veshët që duan të dëgjojnë, gjuhët që duan të flasin, mendjet që duan të kuptojnë, zemrat që duan të rrahin nga gëzimi dhe që duan të mbushen me shpresë.

Faleminderit Zotit populli ynë na kupton, na tregon drejtimin dhe ecën së bashku me ne. Kjo është arsyeja pse ne u themi atyre që përpiqen ta marrin peng vendin tonë: “Turqia është e pakalueshme”, ashtu siç ka qenë edhe një shekull më parë. Kjo është arsyeja pse ne u themi “ju nuk do të keni sukses” për njerëzit ambiciozë që ushqejnë qëllime të fshehta kundër kombit tonë. Ata nuk patën sukses dje, nuk patën sukses sot, shpresoj se nuk do të kenë sukses as nesër, ata nuk mund të pengojnë ndërtimin e një Turqie të madhe dhe të fuqishme.

“BASHKUDHËTAR KEMI POPULLIN TONË”

Nuk ka rëndësi se me kë ecin të tjerët. Bashkudhëtari ynë është populli ynë. Bashkudhëtarët tanë janë të gjithë dëshmorët tanë, nga Manzikerti deri në pushtimin e Stambollit, nga Çanakalaja në luftën e pavarësisë, nga zbarkimi në Qipro e deri në 15 Korrik. Bashkudhëtarët tanë janë veteranët tanë, vendosmëria e të cilëve për të luftuar është aq e madhe sa bota. Bashkudhëtarët tanë janë lutjet e gjyshërve tanë me mjekër të bardhë dhe të gjysheve tona me shalle të bardha. Bashkudhëtarët ynë janë shpresat e të shtypurve në të gjithë botën, të cilët zemrat dhe sytë i kanë drejtuar nga ne. Bashkudhëtarët tanë janë të rinjtë tanë, fëmijët tanë, zemrat e të cilëve janë plot entuziazëm, plot projekte dhe të cilët e kanë kthyer timonin drejt 2053 për veten e tyre dhe vendin e tyre. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi.

E dini, Arkimedi kishte thënë: “Më jep një levë dhe unë do ta bëj botën të lëvizë”. Ne themi që me këtë komb të madh, ne do ta lëvizim botën, do të sundojmë botën dhe do t’i bëjmë zërat tanë të dëgjohen edhe në univers. Zoti na ndihmoftë.

Lusim Zotin që të mos na bëjë më të përjetojmë tradhti si 15 Korriku. Lusim Zotin që të mbrojë vendin dhe kombin tonë. Ne i lutemi Zotit që të na e bëjë të lehtë secilën nga punët tona dhe të bëjë që çdo përpjekje e jona t’ia arrijë qëllimit të saj.

Para se të përfundoj fjalimin tim, ju përgëzoj paraprakisht për Kurban Bajramin, të cilin do ta festojmë të martën. E lus Zotin që t’i sjellë prosperitet kombit tonë, myslimanëve dhe mbarë njerëzimit për këto ditë të bekuara. Ju përshëndes të gjithë me dashuri dhe respekt. Mbetshi me shëndet. /trt