Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan: Nëse humbim Kudsin, humbim Medinen, Meken dhe Qaben

Erdogan: Nëse humbim Kudsin, humbim Medinen, Meken dhe Qaben

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, vlerësoi se nëse humbet Kudsi pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, atëherë do të humbet edhe Medineja dhe rrjedhimisht edhe Meka dhe Qabeja, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nëse shkon Kudsi, nuk do të mund ta mbrojmë Medinen. Nëse shkon Medineja, nuk do të mund ta mbrojmë Meken. Nëse shkon Meka, do ta humbasim edhe Qaben”, tha Erdoğan në programin e ndarjeve të çmimeve “Necip Fazil Kisakurek” në Stamboll, që organizohet nga gazeta Star dhe në të cilën shpërblehen personalitete në fushën e artit dhe letërsisë.

“Mos harroni se Kudsi do të thotë Stambolli, Islamabadi, Xhakarta. Medineja do të thotë Kajro, Damasku, Bagdadi. Qabeja do të thotë nderi, dinjiteti dhe qëllimi i ekzistencës i të gjithë neve si muslimanë. Ne nuk do të heqim dorë nga asnjëra prej këtyre. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’u dalë zot urdhrave të Allahut dhe amanetit të paraardhësve tanë”, shtoi presidenti turk.

Erdoğan e cilësoi si “të prishur” rendin botëror, i cili reflektohet përmes viktimave të pafajshme në Siri, palestinezëve të cilët privohen nga të drejtat e tyre dhe muslimanëve të Arakanit të cilët vdesin masovisht duke u dëbuar nga vendlindja e tyre.

Duke recituar vargje nga poeti i famshëm turk, Necip Fazil Kisakurek, në nder të të cilit bëhet ndarja e çmimeve, Erdoğan tha: “Nëse i kryejmë një nga një përgjegjësitë tona, besoj se ne si njerëz do t’i tejkalojmë këto probleme”.

Exit mobile version