Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan: Ne punojmë për të shpëtuar dinjitetin njerëzor në rajonet e krizave

Erdogan: Ne punojmë për të shpëtuar dinjitetin njerëzor në rajonet e krizave

Me bindjen se “Një botë më e drejtë është e mundur” Turqia e zgjat dorën e saj të ndihmës kudo ku ka një shtypur.

Kështu tha të premten Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në videomesazhin dërguar programit të organizuar nga Kryesia e të Drejtave të Njeriut në Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) me rastin e 10 Dhjetorit – Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut.

Kreu turk kujtoi se si sot 73 vjet më parë (10 dhjetor 1948), Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shpresa të mëdha Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila e ruan ende cilësinë e të qenurit një udhëzues i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global.

Megjithatë, sipas presidentit turk, kërcënimet ndaj parimeve që përmban deklarata, veçanërisht ndaj islamofobisë dhe racizmit kulturor, po shtohen dita-ditës.

“Edhe nëse pasqyron vetëm majën e ajsbergut, statistikat tregojnë qartë përmasat e islamofobisë dhe ksenofobisë. Vitin e kaluar, numri i krimeve të urrejtjes është dyfishuar krahasuar me vitet e mëparshme. Po kështu, vitin e kaluar i ka kaluar 3.000 numri i sulmeve ndaj emigrantëve në 3 vende ku jetojnë më së shumti qytetarët tanë në Europë”,- tha Erdoan.

Udhëheqësi turk vuri në dukje se ata që çdo herë flasin për të drejtat dhe liritë e njeriut, i mbyllin sytë para tragjedive humanitare. Në një periudhë të tillë kur injorohen të drejtat e njeriut, Turqia shquhet me veprat e saj, që ne plan të pare vendosin njerëzit dhe vlerat njerëzore.

“Ne ofrojmë shërbime që ruajnë dinjitetin njerëzor në të gjitha rajonet e krizës, nga Siria e deri në Jemen, nga Afganistani në Arakan. Me bindjen se një botë më e drejtë është e mundur, ne e shtrijmë dorën e ndihmës pa diskriminim kudo ku ka të shtypur dhe viktima. Ne jemi një nga vendet që ofrojnë ndihmën më të madhe humanitare në botë në raport me të ardhurat kombëtare. Ne mirëpresim në vendin tonë rreth 5 milionë vëllezër dhe motra që kanë ikur nga lufta, konflikti dhe terrorizmi. Në luftën kundër epidemisë, ne i ndajmë mundësitë tona me vendet mike dhe vëllazërore në vend që të izolohemi si të tjerët. Ne nuk hezitojmë të tregojmë reagimin tonë ndaj padrejtësive dhe paligjshmërive”, tha Erdoan.

Exit mobile version