Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi sot se Turqia, si trashëgimtare e një trashëgimie të madhe civilizuese është në një rritje të re, raporton Anadolu Agency (AA).
Turqia sot shënon 950-vjetorin e Betejës historike në Malazgirt ndërsa në programin me rastin e shënimit të përvjetorit në qytetin Mus të pranishmëve iu drejtua presidenti Erdoğan.
“Për Malazgirtin themi se është pika zero e historisë tonë në Anadoll. Po, pikërisht këtu është vendi ku historia turke ndahet në para dhe pas Malazgirtit”, theksoi Erdoğan duke shtuar se: “Historia jonë nuk njeh fitore të lehta. Janë bërë përpjekje të shumta, mund dhe sakrificë për fitoren në Malazgirt”.
Ai shtoi se Malazgirt është shtylla më e rëndësishme në fillim të urës që vendi i tij ka ndërtuar nga e kaluara në të tashmen.
“Ne duam që 2071-shin, në një mijë vjetorin e fitores në Malazgirt, ku sot po shënojmë 950 vjetorin e fitores, ta shndërrojmë në shtyllën e dytë të anës tjetër të kësaj ure”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se Turqia është në një rritje të re.
“Turqia është në një ngritje të re si trashëgimtare e një trashëgimie të madhe civilizuese e cila pranon gjithçka që i përket Lindjes dhe Perëndimit”, tha Erdoğan.
Beteja e Malazgirtit, pranë qytetit të sotëm të Malazgirtit në Turqinë lindore, u zhvillua në vitin 1071 kur Selxhukët Turq, të udhëhequr nga Sulltan Alp Arslani, mposhtën perandorin bizantin Roman IV. Rezultati i disfatës ishte dobësimi i fuqisë mbrojtëse të bizantinëve por edhe emigrimi i popullsisë turke në provincën historike të Anadollit.
Beteja e Malazgirt konsiderohet historikisht si një ngjarje vendimtare që ishte drejtpërdrejt përgjegjëse për rënien e mëvonshme të Bizantit ndërkaq selxhukët, të shtyrë nga fitorja e kësaj beteje, vazhduan fushatat e tyre fitimtare në Azinë e Vogël. /aa