STAMBOLL (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se në aspektin ligjor do të bashkëpunojnë me Arabinë Saudite për vlerësimin e “ligjit të drejtësisë kundër sponsorëve të terrorizmit”, i cili njeh mundësinë për hapjen e padisë ndaj Arabisë Saudite për shkak të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan ka folur në televizionin Rotana TV të Dubait për zhvillimet e fundit në rajon dhe” ligjin e 11 shtatorit” i cili u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA.
“E kemi shprehur se na vjen keq për miratimin e ‘ligjit të 11 shtatorit’. Si vendi që mban presidencën e radhës të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), ne do të veprojmë në përgjigje të këtij ligji. I kam kërkuar ministrave tanë të Drejtësisë dhe të Punëve të Jashtme që të jenë përkrah me Arabinë Saudite”, u shpreh Erdoğan, duke theksuar se nga aspekti ligjor do të shqyrtojnë këtë çështje me Arabinë Saudite dhe do të hedhin hapat e nevojshëm.
Bota islame duhet të bashkëpunojë
Ndaj pyetjes në lidhje me deklaratat e Princit të kurorës të Arabisë Saudite, Muhammed bin Najif, i cili javën e kaluar, gjatë vizitës së tij në Turqi tha se “të dy vendet duhet të bashkëpunojnë më shumë për shkak se janë të dyja në shënjestër”, Erdoğan është përgjigjur se: “Kundër botës islame po kryhen zhvillime të ulëta. Turqia dhe Arabia Saudite po vihen në shënjestër. Edhe ato që po përjetohen në Irak, Tunizi, Siri, Libi, Pakistan dhe Afganistan nuk mund të shikohen ndryshe nga njëra-tjetra. Ne shikojmë se të gjitha kurthet dhe planet drejtohen ndaj botës islame. Për këtë arsye vendet e botës islame duhet të jenë në bashkëpunim dhe solidarizim me njëri-tjetrin.”
Ndër të tjera duke rikujtuar se deri tani në Siri kanë humbur jetën 600 mijë njerëz dhe gjithashtu brenda një kohe të shkurtër kryesisht në Halep kanë humbur jetën shumë persona, Erdoğan ka theksuar se do të humben shumë gjëra nëse në botën islame nuk arrihet bashkëpunimi.
Në lidhje me Sirinë, ai tha se Turqia dëshiron që të formojnë në veri të vendit një zonë të sigurisë të mbyllur për fluturime me një sipërfaqe prej 5000 kilometra katrorë. Më tej Erdoğan tha se në saje të operacionit ushtarak “Mburoja e Eufratit”, i kryer në mbështetje të Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA), rreth 30 – 40 mijë refugjatë sirianë në Turqi janë kthyer në fushën e pastruar nga prania e terroristëve.
Duke vënë në dukje se do të zhvillojë bisedime me presidentët Obama dhe Putin për një armëpushim të ri në Siri, Erdoğan përsëriti qëndrimin e Turqisë që Bashar al-Asad, është përgjegjës për vdekjen e rreth 600.000 sirianëve dhe “nuk mund të mbetet në pushtet.”
Presidenti Erdoğan ka cekur edhe çështjen e Musulit ku ai ka deklaruar se “Musuli është i qytetarëve të Musulit, Telafer-i është i qytetarëve të Telaferit. Askush nuk ka të drejtë që të vijë dhe të hyjë në këto zona. Edhe pas çlirimit të Musulit nga DAESH-i aty duhet të qëndrojnë vetëm arabët sunnitë, turkmenët dhe kurdët sunnitë.”