“Turqia vazhdon të ruajë me vendosmëri sensibilitetin e saj për statusin e Jerusalemit Lindor dhe shenjtërinë e Xhamisë Al-Aksa”.
Kështu deklaroi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan), duke iu drejtuar të premten pjesëmarrësve të konferencës së 16-të të Unionit Parlamentar të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (PSOIP) në Pallatin “Dolmabahçe” në Stamboll.
Kreu i shtetit turk tha se kauza e Jerusalemit nuk është kauza e vetëm një grushti myslimanësh të guximshëm, ajo është kauza e përbashkët e te gjithë botës Islame.
“Praktikat e njëanshme në Palestinë po shtohen nga dita në ditë, fatkeqësisht vazhdon edhe bllokada e padrejtë dhe e pamëshirshme ndaj Gazës”,- u shpreh Erdoan, ndërsa theksoi se do të ishte e padrejtë që palestinezët të paguajnë sot koston e gjenocidit që u është bërë hebrenjve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Si stërnipër e mbesa të të parëve që e kanë qeverisur me drejtësi Jerusalemin për 40 vite me radhë ne nuk duam që të shikojmë më gjak, lot dhe shtypje në Palestinë”, shtoi ai duke tërhequr vëmendjen në presionin izraelit ndaj banorëve të Palestinës.
“Falë luftës së suksesshme të popullit palestinez, përpjekjet e qarqeve të caktuara për të injoruar të drejtat historike të këtij populli kanë dështuar”, theksoi Erdoan.
“Qëndrimi i Ankarasë për çështjen e mbështetjes së Palestinës dhe mbrojtjes së statusit të qytetit të Jerusalemit dhe shenjtërisë së Xhamisë Al-Aksa mbetet i pandryshuar”, tha lideri turk dhe e vijoi kështu fjalimin e tij: “Rruga për t’ia arritur kësaj (për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm” kalon përmes krijimit të një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës me integritet territorial brenda kufijve të vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin”.
Konsolidimi i klimës së paqes në rajon për periudhën e ardhshme do të përcaktohet nga hapat e përbashkët që do të hidhen. Duhet të veprojmë në unitet dhe solidaritet, duhet të shmangim çdo lloj veprimi që do të sillte dobësimin e kauzës palestineze. Duhet të vazhdojmë përpjekjet tona që kauza palestineze të zërë vendin e merituar në agjendën botërore dhe për të gjetur një zgjidhje të drejtë.
Udhëheqësi turk tha se dëshira e përbashkët e tyre është që në Afganistan të vendoset paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm, ndërsa nënvizoi se është prioritare vazhdimi i dërgimit të ndihmave humanitare për vëllezërit afganë, sidomos tani në kushtet e vështira të dimrit.
“Ne po bëjmë përpjekje për të parandaluar që Afganistani të zhytet sërish në kaos dhe konflikt. Destabilizimi i përsëritur i situatës në këtë vend është i papranueshëm. Kjo ka çuar gjithashtu në një valë në rritje të refugjatëve, ku dëmin kryesor nga flukset migratore e pësojnë vende si Turqia, e jo vendet perëndimore që u dëgjohet zëri më shumë”, tha Erdoan.
Pasi tha thënë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është kthyer në një organ zhgënjimi të madh duke mos përmbushur përgjegjësitë e tij në krizën siriane, lideri turk theksoi: “Ne nuk mund të lejojmë që Evropa, ku jetojnë 35 milionë myslimanë me origjinë të ndryshme, të kthehet në një kamp përqendrimi për vëllezërit tanë”.
Konferenca e Unionit Parlamentar të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (PSOIP) zhvillohet në Pallatin “Dolmabahçe” në Stamboll.
Aktiviteti drejtohet nga kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Shentop.
Përfaqësues të 38 vendeve dhe organizatave, duke përfshirë Iranin, Azerbajxhanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Taxhikistanin, Arabinë Saudite, Libinë dhe Malin, marrin pjesë në konferencën me temën “Ndërveprimi, Ndërgjegjja dhe Islami: Palestina, Migrimi dhe Afganistani”.
Këtë vit Turqia do të marrë kryesinë e radhës nga Burkina-Faso.
Konferenca do të përfundojë me miratimin e Deklaratës së Stambollit. /trt