Erdoğan mbërrin për vizitë në BeH

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti për vizitë pune në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan në aeroportin ndërkombëtar në Sarajevë u prit nga kryesuesi i presidencës së BeH-së, Bakir Izetbegoviç.

Në shoqërim të presidentit Erdoğan gjatë vizitës në Bosnjë e Hercegovinë janë edhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, zëvendëskryeministri i Turqisë Hakan Çavuşoğlu, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Ekonomisë Nihat Zeybekci, ministri i Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Turqisë Osman Aşkın Bak, ministri i Kulturës dhe Turizmit Numan Kurtulmuş, ministri i Transportit, Çështjeve Detare dhe Komunikimit Ahmet Arslan dhe kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) Ali Erbaş.

Erdoğan do të fillojë vizitën në BeH me një takim në Presidencën e BeH. Pas një fotoje të përbashkët është paralajmëruar një takim kokë më kokë mes kryesuesit e Presidencës së BeH-së dhe presidentit të Turqisë si dhe takimi mes delegacioneve të të dyja vendeve.

Pas takimeve, do të mbahet një konferencë për media në të cilën do të adresohet Bakir Izetbegoviç dhe Presidenti turk. Erdoğan pas takimit në Presidencë do të vendos lule mbi varrin e presidentit të parë të BeH-së Alija Izetbegoviç ndërsa më pas do të marrë pjesë në Kongresin e 6-të të Unionit Evropian të Demokratëve Turq (UETD), i cili do të mbahet në sallën olimpike “Juan Antonio Samaranch” në Sarajevë.

Pas Kongresit, presidenti Erdoğan do të vizitojë Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (IUS), ku do t’i ndahet çmimi i Doktoraturës së nderit.

Gjatë vizitës së sotme është planifikuar edhe shëtitje në Qytetin e Vjetër të Sarajevës nga Sebili në drejtim të xhamisë së Gazi Husrev-Beut, ku kryesuesi i Presidencës së BeH-së Bakir Izetbegoviç dhe presidenti Erdoğan do të falin namazin e akshamit.