Turqi: “Me emrin dhe strukturën tonë të re, me Organizatën e Shteteve Turke, ne veçanërisht e me këmbëngulje do të hedhim rrënjë, do të rritemi, do të zhvillohemi dhe do të lulëzojmë më shpejt tani e tutje”, deklaroi të premten Presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Kjo deklaratë e Erdoganit erdhi gjatë një konference për shtyp pas Samitit 8. të Këshillit Turk, i cili u mbajt në Ishullin e Demokracisë dhe Lirive në Stamboll.
“Emri i Këshillit tonë (Këshilli Turk) tani është Organizata e Shteteve Turke”, bëri me dije presidenti dhe vijoi me këto fjalë: “Me emrin dhe strukturën tonë të re, me Organizatën e Shteteve Turke, ne veçanërisht e me këmbëngulje do të hedhim rrënjë, do të rritemi, do të zhvillohemi dhe do të lulëzojmë më shpejt tani e tutje.”
Sipas tij, hapësira gjeografike e Turkistanit, djep i qytetërimit, do të bëhet sërish një qendër graviteti dhe ndriçimi për mbarë njerëzimin.
Ai njoftoi gjithashtu se në këtë samit është adoptuar edhe Dokumenti i Vizionit 2040 të Botës Turke, i cili piketon vijat e përgjithshme të perspektivës së organizatës për të ardhmen.
“Ne e konsiderojmë fotografinë tonë të sotme këtu si një simbol të ri të vëllazërisë së përjetshme dhe të përhershme mes nesh, mes botës turke. Askush nuk duhet të shqetësohet nga Organizata e Shteteve Turke, por duhet të përpiqet të jetë pjesë e kësaj strukture vullnetare të bazuar mbi historinë e saj të lashtë dhe marrëdhënie njerëzore”, u shpreh Presidenti Erdogan.
“Ne kemi treguar edhe një tjetër herë se jemi një dhe të bashkuar si botë turke duke ndarë mundësitë tona gjatë periudhës së pandemisë (COVID-19). Si anëtarë të Këshillit Turk, ne do t’i dhurojmë Afrikës 2,5 milionë doza vaksine. Nga këto, 2 milionë do të jenë donacion i Turqisë”, theksoi ai mes të tjerash. /trt