ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur në një takim në rezidencën presidenciale në Ankara kancelaren gjermane, Angela Merkel, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të përbashkët me kancelaren Merkel, Erdoğan tha se “shprehja terrorizëm islamik, ne si muslimanë na shkakton mërzitje serioze. Një shprehje e tillë nuk mund të përdoret, nuk është e drejtë. Sepse Islami dhe terrorizmi nuk mund të jenë bashkë. Kuptimi i fjalës Islam është paqe. Për këtë arsye nëse ne vendosim një fjalë që ka kuptimin paqe në anë të terrorizmit, kjo shkakton mërzitje tek anëtarët e asaj feje.”
“Nuk ka një vend të dytë në botë që të luftojë kundër DEASH-it ashtu si ne”
Në fjalën e tij presidenti Erdoğan është shprehur se “Është shumë dëshpëruese nëse ne përdorim shprehjen ‘terrori islamik’ për shkak të organizatës terroriste DEASH. Ju lutem këtë të mos e përdorim. Sepse në momentin që kjo përdoret ne jemi të detyruar të qëndrojmë përballë, dhe nëse ne qëndrojmë të heshtur kjo quhet e pranuar. Unë si një president musliman nuk e pranoj kurrë këtë. Aktualisht në botë nuk ka një vend të dytë që të luftojë kundër DEASH-it ashtu si ne. Që të gjithë janë ende tek fjalët, por ne vazhdojmë, dhe do të vazhdojmë me vendosmëri luftën me këtë.”
“Organizata terroriste FETO është e njëjtë si edhe PKK, PYD, YPG. Në vendim tim kryhet një grusht kundër shtetit dhe ato që kanë kryer këtë shkojnë e strehohen në Gjermani, dhe qeveria e të cilës na shprehet se keni të drejtë, por ministritë e drejtësisë së dy vendeve të kontaktojnë me njëra-tjetrën dhe duhet të dërgojnë informacione dhe dokumente. Por gjithashtu ne kemi dërguar 85 dosje me dokumente edhe në Amerikë dhe ende presim vendimet që do të dalin nga gjyqësori. Ne në të njëjtën kohë jemi vende aleate, mike bashkë në NATO. Unë mendoj se në këto çështje duhet të marrim vendime më të shpejta duke përmbysur perceptimin ‘drejtësia e vonuar nuk është drejtësi’ dhe se do të ishte më me vend që të merrnim rezultate sa më parë në këtë çështje”, është shprehur Erdoğan.
“Ekstradimin e pjesëtarëve të FETO-s do ta diskutojnë ministrat e Drejtësisë”
Kancelarja gjermane Angela Merkel, në konferencën e përbashkët pas takimit me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në Ankara, tha se “Ne duhet të kemi prova në mënyrë që të ndërmarrim hapa dhe masa. Gjykatat janë duke i shqyrtuar këto prova. Në Gjermani ka disa vendime gjyqësore të cilat pamundësojnë ekstradimin në kushte të caktuara. Në lidhje me këtë, ministrat tanë të drejtësisë do të zhvillojnë bisedime në lidhje me këto çështje”, raporton Anadolu Agency (AA).
Merkel tha se po zhvillon takimin e parë në Turqi pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik. Siç theksoi ajo, gjatë takimit është diskutuar edhe në lidhje me strukturimin e FETO-s, duke shtuar se lufta kundër terrorit në këtë drejtim është me rëndësi dhe se është e nevojshme që personat prapa kësaj tentative të dënohen. Megjithatë, ajo gjatë takimit tha se është shprehur se fajësia në të njëjtën kohë duhet dëshmuar edhe në mënyrë individuale.
Merkel po ashtu njoftoi se gjatë takimit kanë potencuar nevojën për bashkëpunim në luftën kundër terrorit, përfshirë edhe organizatën terroriste PKK. “Folën për sulmin në Stamboll gjatë natës së Vitit të Ri dhe sulmet e tjera që kanë dëmtuar Turqinë. Ne të gjithë prekemi nga kjo. Njëri-tjetrit i dhamë fjalën për bashkëpunim më të afërt”, tha Merkel.
Sipas Merkel, marrëdhëniet mes dy shteteve janë të mirë, mirëpo ato mund të bëhen edhe më të mira.
Duke nënvizuar se gjatë takimit me presidentin Erdoğan kanë shqyrtuar edhe çështjet rajonale që kanë rëndësi për dy palët, siç janë Siria, Iraku dhe çështja e refugjatëve, Merkel u shpreh se çështja e refugjatëve është me rëndësi për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian (BE), aq sa është e rëndësishme për Turqinë.
Kancelarja gjermane Merkel bëri të ditur se i ka thënë presidentit Erdoğan që Turqia është duke dhënë përpjekje të jashtëzakonshme për integrimin e refugjatëve.
Duke falënderuar presidentin Erdoğan për pritjen, Merkel tha se problemet me të cilat përballet bota bashkëkohore nuk mund të zgjidhen individualisht dhe për këtë arsye, siç tha ajo, me rëndësi për të janë vazhdimi i takimeve dhe gjetja e zgjidhjeve.
Ekstradimi i pjesëtarëve të FETO-s
E pyetur nëse Gjermani do të ndërmerr masa në lidhje me ekstradimin e disa simpatizantëve të FETO-s që jetojnë në Gjermani, Merkel tha se janë të vendosur në luftën kundër terrorit.
“Ne duhet të kemi prova në mënyrë që të ndërmarrim hapa dhe masa. Gjykatat janë duke i shqyrtuar këto prova. Në Gjermani ka disa vendime gjyqësore të cilat pamundësojnë ekstradimin në kushte të caktuara. Në lidhje me këtë, ministrat tanë të drejtësisë do të zhvillojnë bisedime në lidhje me këto çështje”, vuri në pah Merkel, duke shtuar se, megjithatë, është e nevojshmë ta respektojnë epilogun e gjykatave të pavarura.
Ajo më tej u shpreh se janë duke bërë çdo gjë të mundur që muslimanët në Gjermani të mund ta praktikojnë besimin e tyre. “Shoqatat muslimane te ne gjithnjë e kanë ngritur zërin kundër çdo lloji të terrorit. Ka një dallim midis fjalës islame dhe islamiste. Mendoj se njerëzit i vlerësojnë muslimanët dhe se ne duhet ta luftojmë këtë terrorizëm duke bashkëpunuar”, vlerësoi Merkel.