Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan mbajti fjalim në seancën e përbashkët të Kuvendit Kombëtar dhe Senatit që u zhvillua në Parlamentin e Pakistanit, ku ka deklaruar se organizatat terroriste si Al Kaeda dhe pasardhëset e saj të pjesshme, si DEASH-i, janë marioneta në luftën kundër Islamit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Turqia aktualisht është duke udhëhequr një luftë shumë serioze kundër DEASH-it. Kjo luftë nuk zhvillohet vetëm në vend, por edhe në Siri dhe Irak dhe ne do të vazhdojmë pa mëdyshje, për shkak se kjo organizatë terroriste nuk ka asgjë të bëjë me Islamin. Ata janë duke dëmtuar Islamin më shumë se çdo gjë dhe kushdo”, tha Erdoğan.
Më tej, presidenti Erdoğan u shpreh se: “Mendoj se muslimani nuk duhet pickuar dy herë nga e njëjta vrimë. Duhet që sa më parë t’i asgjësojmë nga bota islame dhe nga e gjithë bota këto tufa vrasëse që nuk dinë tjetër pos të derdhin gjakun e muslimanëve. Në të kundërtën, as Turqia, as Pakistani, as bota islame e as njerëzimi nuk do të ketë paqe”.
Presidenti turk tha se organizata terroriste duke shfrytëzuar dallimet më të vogla mes muslimanëve përpiqen që të arrijë qëllimet e saj.
“Që muslimanët të çlirohen nga kjo e keqe dhe kjo situatë e vështirë, duhet të shmangim dallimet meth’hebike, etnike dhe të gjitha dallimet tjera mes nesh”, shtoi Erdoğan.
“Këtë solidarizim dhe frymë të vëllazërisë do ta përhapim së bashku në gjithë botën”
Duke theksuar se lidhjet e fuqishme historike që në çdo periudhë kanë ruajtur gjallërinë kanë bërë që Turqia dhe Pakistani të jenë të veçanta për njëra-tjetrën, presidenti Erdoğan tha se “Këtë solidarizim dhe frymë të vëllazërisë do ta përhapim së bashku në gjithë botën”.
“Dua veçanërisht të potencoj se pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, Pakistani, me qeverinë, kuvendin dhe popullin, ka qenë ndër vendet e para që ka mbajtur anën tonë. I kemi pritur me kënaqësi vendimet mbështetëse që kanë miratuar veç e veç kuvendi dhe senati juaj. Dua t’iu falënderoj në emrin tim personal dhe në emër të popullit tim. Me qëndrimin kundër tentativës për grusht shteti të ndërmarrë nga Organizata Terroriste FETO, Pakistani ka treguar se edhe në Luftën e Dytë Çlirimtare është në anën e popullit turk. Zoti qoftë i kënaqur nga ju dhe e mbrojtë gjithmonë solidarizimin mes nesh”, u shpreh më tej Erdoğan.
“Përpiqen të gjejnë bazament për vete”
“Organizatat terroriste përpiqen të gjejnë bazament për vete duke provokuar ndarje dhe dallime mes muslimanëve”, tha Erdoğan, për të shtuar se “Në mënyrë që muslimanët t’i shpëtojmë nga kjo gjendje poshtëruese, duhet t’i asgjësojmë të gjitha mjetet e abuzimit, duke filluar që nga sektarizmi që ka përfshirë komunitetet islame e deri te ndarja në baza etnike”.