Erdogan: Evropa vdiq në Bosnjë, u varros në Siri

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se ajo që do të arrijë Evropa pa Turqinë do të jetë vetmia, dëshpërimi dhe kontradiktat e brendshme, duke theksuar se Turqia nuk ka nevojë për Evropën, por Evropa për Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Evropa vdiq në Bosnjë, u varros në Siri. Trupat e pajetë të fëmijëve të pafajshëm në brigje deti janë gurë varresh të civilizimit perëndimor. Fatkeqësisht, në shtatë vitet e fundit, vlerat evropiane u diskredituan dhe u zhdukën nga vetë mbajtësit e këtyre vlerave”, tha Erdoğan në Ankara, në një program përkujtimor të ish-presidentit të ndjerë boshnjak, Alija Izetbegoviç.

Erdoğan tha se presin që liderët e Evropës të mos e shënjestrojnë më Turqinë dhe të kthehen në arsyen e shëndoshë.

“Nuk mund të shkohet askund duke e rritur ksenofobinë. Të imagjinosh një qeverisjë bazuar në sentimentin anti-islam nuk të çon në asnjë vend”, theksoi presidenti turk.

“Ajo që do të arrijë Evropa pa Turqinë do të jetë vetmia, dëshpërimi dhe kontradiktat e brendshme. Turqia nuk ka nevojë për Evropën, por, në fakt, Evropa ka nevojë për Turqinë. Edhe pse ata nuk duan ta shohin këtë, receta e problemeve që po bëhen gjithnjë e më kronike është Turqia, anëtarësimi i plotë i Turqisë”, u shpreh Erdoğan.

Ai theksoi se mashtrohen ata që mendojë se do ta gjunjëzojnë Turqinë përmes sanksioneve dhe kërcënimeve.

“Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi lodër e askujt. Nuk jemi dhe nuk do të jemi ushtarë të cilët dikush mund t’i trajtojë sipas dëshirës. Sepse ne, sikurse boshnjakët, jemi popull qe kemi shkruar historinë me gjak dhe kemi paguar çmimin e lirisë duke varrosur djem të rinj”, u shpreh presidenti i Turqisë, Erdoğan.