Presidenti i Turqisë dhe kryetari i Përgjithshëm i Partisë AK, Recep Tayyip Erdoğan sot në Ankara deklaroi se vendet evropiane duhet patjetër t’i ekstradojnë në Turqi personat e arratisur të organizatës terroriste FETO që në këmbim të mund të kërkojnë që Turqia t’u dorëzojë disa njerëz që ata i kërkojnë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Iniciativat e Turqisë lidhur me FETO-n edhe pse ngadalë filluan të japin rezultate. Tani edhe vendimet e dënimeve po u dorëzohen dhe do t’u dorëzohen.
Ne do të shohim shumë mirë edhe qëndrimin e atyre jashtë shtetit. E dimë, por tani do ta shohim edhe në aspektin e së drejtës ndërkombëtare.
Tani as në lindje e as në perëndim asnjë anëtar i kësaj organizate nuk është i qetë siç ka qenë më parë, edhe nuk do të jetë”, tha presidenti Erdoğan në fjalimin e tij në mbylljen e takimit të rregullt të 26-të të Partisë AK.
Erdoğan më tej ka thënë se “Ne shohim se FETO po strukturohet në shtetet e ndryshme të Evropës duke marrë mbështetje shumë serioze nga këto vende.
Kur ne i pyesim ata përgjigjja që marrim është kjo: ‘Kanë kërkuar azil’. Çfarë do të thotë kanë kërkuar azil? Këta janë tradhtarë, këta janë vrasës dhe patjetër këta janë terroristë.
Ka vendime të marra nga gjykatat tona lidhur me këta. Ata e kërkojnë dikë nga ne. Më falni. Për ta marrë atë që e kërkoni nga ne, së pari duhet të na jepni atë që e kërkojmë”.
“Nëse ne sot heshtim kjo strukturë do të rritet atje”
“Ne duhet ta kapim dhe ta dimë një të vërtetë shumë mirë. Ka një kufi të Sirisë prej 911 kilometrash dhe këtu ka një përgatitje paraprake për strukturim shumë serioz shtetëror, nga pjesa më perëndimore deri në atë më lindore.
Nëse ne sot heshtim kundër kësaj, që edhe u vonuam, atëherë çfarë do të bëjë kjo strukturë atje, do të rritet”, thotë Erdoğan.
Ai thotë se punimet e dijetarëve tanë të respektuar dhe mendimet e shfaqura prej tyre tregojnë se organizata FETO ka themeluar një strukturë paralele jo vetëm brenda shtetit, por në të njëjtën kohë edhe brenda fesë sonë.
“FETO, kudo që të jetë nisma e saj, në bazë të pikës ku ka mbërritur është shndërruar në një lëvizje të prishur, në kundërshtim ndaj doktrinës së ehli-sunnetit”, thotë presidenti Erdoğan.
Kalimi i cili do të realizohet në zonën jokonfliktuale në Idlib
Lidhur me kalimin i cili do të realizohet në zonën jokonfliktuale në Idlib, presidenti Erdoğan tha se “Procesi për të cilin dje u ndërmorën hapat dhe sot në mëngjes filloi të praktikohet për momentin është duke vazhduar.
Kjo përpjekje me mbështetjen tonë së bashku me Ushtrinë e Lirë Siriane po vazhdon pa ndonjë problem dhe në mënyrë të qetë”.
Presidenti Erdoğan në vijim theksoi se “Ne jemi të detyruar që ta prishim një korridor të terrorizmit i cili po përpiqet të ndërtohet nga pjesa më lindore për në Mesdhe.
Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Nëse ne e lejojmë këtë, e përjetojmë një Koban të ri. Më falni, por ne nuk duam të përjetojmë një Koban të ri dhe nuk do ta lejojmë këtë”.
“Kushdo, çfarë do qoftë që thotë, çfarë do le të mendojë. Ne nuk do të lejojmë që Turqia të bllokohet në rrugë qorre për shkak të kërcënimeve nga burimet e Sirisë dhe të Irakut”, tha Erdoğan.
“Ne i kemi duart dhe zemrën e hapur deri në fund për ata që na tregojë miqësi.
Por, për ata të cilët ushqyejnë armiqësi ndaj neve, edhe një herë po ua përsëris fjalën tonë, mund të vijmë papritmas një natë”, u shpreh presidenti Erdoğan.