Erdogan: Evropa nuk na i dha paratë e premtuara, me kë tallen ata?

Përleshje të reja u regjistruan mëngjesin e sotëm në kufirin grek, ku kanë vërshuar më mijëra emigrantë nga Turqia. 

Forcat greke përdorën gazin lotsjellës për të zmbrapsur turmat e njerëzve që po tentonin të hynin në Greqi. Turqia deklaroi se kufijtë e saj janë të hapur, për emigrantët që duan të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian pas sulmeve ajrore në Idlib, ku u vranë dhjetëra ushtarë turq.

Vendi Helen, i cili ka qenë rruga kryesore për qindra mijëra emigrantë më 2015-2016, që dëshironin të arrinin në vendet evropiane, është zotuar të mos e lejojë një fluks të ri të tyre. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu një ditë më parë mbështetje për përpjekjet e Athinës.

“Situata në kufirin tonë nuk është vetëm çështje e menaxhimit për Greqinë, por është përgjegjësi e Evropës në tërësi”, tha ajo një konference për shtyp, pasi vizitoi rajonin së bashku me liderët tjerë të BE-së dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Por presidenti turk, Rezxhep Tajip Erdoan nxori një tjetër pretendim.

“Ata nuk i paguan 6 miliardë eurot e premtuara. Tani, thonë se do të ndajnë 1 miliardë euro. Kë po e gënjeni ju?”, tha ai.

Deklaratën, Erdogan e bëri gjatë një konference për shtyp në Ankara me kryeministrin bullgar, Boyko Borisov, por ky i fundit u shpreh se këto para për Turqinë ishin miratuar dhe nuk e kuptonte përse nuk u dhanë./tch