Marrëdhëniet Turqi-Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë njohur zhvillime të mira dhe EBA na ka propozuar një plan investimi me vlerë 10 miliardë dollarë, u tha Erdoan gazetarëve gjatë kthimit me avion nga Ashkabadi.
Gjatë kthimit në atdhe me avion nga Turkmenia, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Ai tha se “zhvillime të mira kanë ndodhur në marrëdhëniet Turqi-EBA”, të cilat nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar vitet e fundit, duke shtuar se Emiratet e Bashkuara Arabe janë të gatshme të investojnë në Turqi.
Marrëveshjet midis dy vendeve që u nënshkruan gjatë vizitës së Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan në Turqi më 24 nëntor ishin të rëndësishme për fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe,- u tha Erdoan gazetarëve dhe shtoi:
“Takimet tona, si dypalëshe ashtu edhe ndërmjet delegacioneve, kaluan shumë mirë. Vizitën e kthimit (në EBA) unë do ta bëj brenda muajit shkurt. Para meje do të ketë vizita edhe nga ministri im i Jashtëm, edhe nga shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar (MIT). Do të ketë përgatitje për këto vizita. Më pas, në shkurt, shpresoj që të shkoj (në EBA) me një delegacion të madh dhe të ndërmarrim hapa në një mënyrë shumë të fuqishme. Ata (EBA) na prezantuan një plan investimi prej 10 miliardë dollarësh. Duke e vënë në jetë këtë plan investimi, ne do të ndërtojmë një të ardhme shumë të ndryshme. Do të ketë zhvillime të mira në këtë drejtim”.
Lidhur me emërimin e ambasadorëve në Izrael dhe Egjipt udhëheqësi turk bëri këtë vlerësim:
“Tani, kur të kemi marrë vendimin tonë, sigurisht që do të jemi në gjendje të emërojmë ambasadorë brenda një afati të caktuar. Në disa nga vendet që përmendët, disa hapa janë ndërmarrë duke dërguar atje përfaqësues në nivelin e të ngarkuarit me punë. Nuk ka ambasador, por ka një të ngarkuar me punë. Ne do t’i kemi ndërmarrë këta hapa gradualisht sipas një afati të caktuar. Ashtu si hapat e ndërmarrë mes Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ne do të ndërmarrim hapa të ngjashëm edhe me (vendet) të tjerët”.
Erdogan i bëri një vlerësim edhe problemit midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Pozicioni ynë është i qartë përballë tensionit midis Ukrainës dhe Rusisë. Ne jemi në favor të mbizotërimit të paqes në rajon, veçanërisht me një qasje në lidhje me turqit e Krimesë. Ne i kemi diskutuar dhe po i diskutojmë këto çështje në mënyrë të përsëritur me Rusinë mike dhe në veçanti me (kreun e shtetit rus) Vladimir Putin”,- u shpreh Erdoan. /trt