Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan sot pas Samitit të Liderëve të G20 në Hamburg të Gjermanisë porositi se akuzat në adresë të Katarit janë të padrejta ndërsa sanksionet të gabuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan pas Samitit të Liderëve të G20 mbajti konferencë për mediat në Hamburg në të cilën foli për aktivitetet e tij gjatë samitit dhe u përgjigj në pyetjet e gazetarëve.
“Akuzat në adresë të Katarit i llogaris si të padrejta. Gjithashtu, mendoj se sanksionet janë të gabuara. Si ndaj çdo shteti tjetër në botë, e nevojshme është që të respektohet edhe sovraniteti i Katarit. Siç kam thënë edhe më parë në zënkën mes dy vëllezërve nuk ka fitues”, tha presidenti Erdoğan.
Kur është në pyetje lufta kundër terrorizmit, Erdoğan theksoi se shpreson që samiti të jetë kthesë mbi bazën në të cilën të gjithë do të pranojnë se janë cak i terrorizmit.
“Dëshiroj që ky takim (Samiti G20) të jetë kthesë mbi bazën në të cilën do të pranojmë se të gjithë jemi cak i terroristëve, pa dallim të religjionit, gjuhës apo racës. Gjithashtu, shpresoj se do të kemi sukses të parandalojmë financimin e terrorizmit dhe në atë mënyrë do të pamundësojmë që i njëjti terrorizëm të na shkaktojë dhimbje”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se gjatë samitit ka porositur se lufta kundër terrorizmit i cili është bërë kërcënim global është e mundur vetëm me qëndrim parimor dhe të qëndrueshëm.
“Nuk do të shënojmë përparim në luftën kundër organizatave terroriste përderisa nuk i lëmë anash standardet e dyfishta dhe përderisa nuk vendosim bashkëpunim ndërkombëtar dhe solidaritet”, porositi Erdoğan.
Në fokusin e presidentit Erdoğan ishin edhe pjesëtarët e organizatës terroriste FETO, përgjegjës për tentativën për grusht shteti në vendin e tij, i cili ndodhi vitin e kaluar më 15 korrik.
“Militantët e organizatës terroriste, të cilët më 15 korrik të vitit të kaluar tentuan të kryejnë puçin e përgjakshëm dhe vranë 250 qytetarë tanë ndërsa plagosën 2.193, vendet nga Perëndimi i shohin si strehimore të sigurtë. Dëshiroj të theksoj se situata e tillë i shqetëson qytetarët tanë të cilët më 15 korrik me çmimin e jetës së tyre u ngritën dhe e mbrojtën demokracinë”, theksoi Erdoğan.