Erdoğan: Do t’i vendosim në një vijë të arsyeshme dhe të qëndrueshme lëvizjet e çmimeve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Në një periudhë jo shumë të gjatë shpresojmë se do t‘i vendosim në një vijë të arsyeshme dhe të qëndrueshme të gjitha lëvizjet e çmimeve dhe luhatjet valutore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në një ceremoni inaugurimi në sheshin “Dëshmorët e 15 Korrikut” në qytetin Siirt për përfundimin e urës Zarova, digës dhe centralit hidroelektrik Şirvan si dhe kompleksin e prodhimit linear të metalit të zinkut.

Ai theksoi se disa nga rritjet e larta të çmimeve, veçanërisht në energji dhe ushqime janë për shkak të rritjes së tepërt të çmimeve globale të mallrave dhe pritet që një pjesë e këtyre çmimeve të larta të balancohen sërish.

Sipas tij, edhe “oportunistët e pangopur në treg” janë një nga arsyet e rritjes së tepërt të çmimeve që vërehen në disa produkte.

“Nga këtu i bëj thirrje vendit tim, atyre që bëjnë stoqe. Do të paguajnë çmimin që meritojnë, nëse kapen ata që bëjnë stok në magazinat e tyre pavarësisht se në cilin produkt. Edhe në rritjen e kursit të këmbimit shohim herë-herë shenjat e kësaj lakmie. Në një periudhë jo shumë të gjatë shpresojmë se do t‘i vendosim në një vijë të arsyeshme dhe të qëndrueshme të gjitha lëvizjet e çmimeve dhe luhatjet valutore. Me lejen e Allahut, që nga muajt e parë të vitit të ardhshëm, do të shohim se kemi arritur në një nivel ku kemi filluar të arrijmë standardet e vendeve që janë vërtet të zhvilluara në ekonomi”, tha Erdoğan.

Në fjalën e tij, presidenti Erdoğan përmendi arritjet me ndërtimet e rrugëve, urave, tuneleve, aeroporteve, digave, spitaleve që kanë kryer gjatë qeverisjes së tyre dhe bëri të ditur se në vitin 2023 do të dalin përpara vendit dhe popullit edhe njëherë me krenarinë që kanë zbatuar edhe njëherë premtimet e dhëna. /aa