Erdoğan dhe Xi Jinping diskutuan hapat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij kinez Xi Jinping për të diskutuar hapat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria Turke e Komunikimeve përmes një njoftimi bëri të ditur se Erdoğan dhe Xi diskutuan hapat që do të përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në tregti, investime, energji, transport dhe shëndetësi, si dhe zhvillimet rajonale.

Duke nënvizuar se ekziston një potencial i gjerë për bashkëpunim midis dy vendeve në të gjitha fushat e ekonomisë dhe diplomacisë rajonale dhe globale, Erdoğan tha se Grupi i Përbashkët i Nivelit të Lartë do të japë një shtysë të madhe për bashkëpunimin midis dy vendeve.

Presidenti Erdoğan gjithashtu tha se ata do të dëshironin të shënonin 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Turqisë dhe Kinës në një mënyrë të denjë për miqësinë e rrënjosur thellë midis dy vendeve.

Duke shprehur respektin e Turqisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, ai theksoi se është e rëndësishme për Turqinë që ujgurët turq të jetojnë në prosperitet, liri dhe paqe si qytetarë të barabartë të Kinës.

Ujgurët përbëjnë rreth 45 për qind të popullsisë në territorin autonom Xinjiang dhe prej kohësh kanë akuzuar autoritetet e Kinës për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të OKB-së, deri në 1 milion njerëz, ose rreth 7 për qind e popullsisë muslimane në Xinjiang, kanë qenë të burgosur në një rrjet të kampeve të “riedukimit politik”. /aa