Erdoğan: Derisa gja’kderdhja në Lindjen e Mesme të ndalet, nuk mund të flasim për drejtësi dhe paqe

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke folur rreth sulmit terrorist që ndodhi dje në Ankara në selinë e Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ), tha se “ky sulm i ulët (ndaj TUSAŞ-it) ka forcuar më tej vullnetin dhe vendosmërinë e Turqisë për të mposhtur terrorizmin”, raporton Anadolu.

Erdoğan e ka bërë këtë vlerësim gjatë fjalimit të tij në samitin e bllokut BRICS, që po mbahet në qytetin jugperëndimor rus Kazan.

Ai fjalimin e tij filloi duke falënderuar vendet që shprehën solidaritetin e tyre pas sulmit terrorist të djeshëm në Ankara.

“Falënderojmë të gjithë miqtë tanë që kanë shprehur ngushëllimet e tyre duke treguar solidaritetin pas sulmit të pabesë terrorist të kryer dje në Ankara”, tha Erdoğan.

“Ky sulm i ulët (ndaj TUSAŞ-it) ka forcuar më tej vullnetin dhe vendosmërinë e Turqisë për të mposhtur terrorizmin”, shtoi ai.

Një shpërthim dhe të shtëna armësh u dëgjuan dje në objektet e TUSAŞ-it në lagjen Kahramankazan të Ankarasë.

Dy terroristë që sulmuan objektet u “neutralizuan”, përderisa pesë persona u vranë dhe 22 u plagosën.

Më tej, presidenti Erdoğan tha se përderisa nuk ndalet gjakderdhja në Lindjen e Mesme, nuk mund të bëhet fjalë as për drejtësi, as për paqe e as për zhvillim për të ardhmen.

“Një rend i drejtë dhe zhvillim global mund të ndodhë vetëm duke vendosur paqe dhe siguri përtej kufijve tanë”, u shpreh presidenti turk.

Erdoğan më tej foli edhe për iniciativin që kanë marrë me vendet e bllokut BRICS pranë OKB-së.

“Ne kemi nisur iniciativë në OKB për të ndalur shitjet e armëve në Izrael”, tha Erdoğan, duke shtuar: “Unë besoj në mbështetjen që ju, vendet anëtare të BRICS-it, do të ofroni për këtë çështje”.

Komiteti organizativ i grupit BRICS ka njoftuar se 36 vende po marrin pjesë në takim, me 22 të përfaqësuara nga krerët e shteteve, përfshirë presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Gjithashtu të pranishëm janë liderë nga Azia, Afrika, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine, si dhe përfaqësues të disa organizatave ndërkombëtare.

Delegacioni rus udhëhiqet nga presidenti Vladimir Putin, i cili po ashtu ka planifikuar disa takime dypalëshe, përfshirë me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Sot më vonë, Putin do të mbajë një konferencë për media në përfundimin e samitit treditor.

Dje, krerët e bllokut BRICS miratuan “deklaratën e përbashkët”, e cila përfshinte rezultatin e samitit dhe mandatin e Rusisë së kryesuese e BRICS-it.