Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdoğan-Beqiroviq: Turqia vazhdon mbështetjen dhe mbetet me BeH-në

Erdoğan-Beqiroviq: Turqia vazhdon mbështetjen dhe mbetet me BeH-në

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se nuk duhet harruar se çdo ngjarje e padëshiruar në Bosnjë e Hercegovinë paraqet kërcënim për stabilitetin e gjithë rajonit dhe paralajmëroi vazhdimin e mbështetjes së Turqisë për integritetin, sovranitetin dhe pavarësinë, si dhe për sigurinë dhe zhvillimin e BeH-së.

Erdoğan u takua me kryetarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, në kompleksin Dolmabahçe në Istanbul.

Duke theksuar se ishte një takim jashtëzakonisht cilësor, Erdoğan tha se me Beqiroviqin diskutoi në detaje të gjitha aspektet e marrëdhënieve dypalëshe midis Turqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

“Kemi shkëmbyer mendime edhe për zhvillimet rajonale me theks në Ballkan. Ne u ndalëm edhe te gjenocidi që po ndodh në Gaza dhe hapat që do të ndërmerren kundër Izraelit nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Siç e dini të gjithë, Republika e Turqisë e ka mbështetur dhe qëndruar pranë Bosnjë e Hercegovinës që nga shpallja e pavarësisë dhe do të mbetet gjithmonë e tillë. Ne vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Bosnjë e Hercegovinës”, tha Erdoğan.

Duke kujtuar se Turqia kontribuon në paqen dhe stabilitetin e BeH-së dhe rajonit përmes pjesëmarrjes në Këshillin për Zbatimin e Paqes (PIC) dhe misionin ndërkombëtar ALTEA, Erdoğan tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme të ruhet kultura e bashkëjetesës dhe të arrihet pajtimi social me përfshirjen e të gjithëve.

“Bazuar në përvojat e kaluara, nuk duhet të harrojmë se çdo ngjarje e padëshiruar në Bosnjë e Hercegovinë paraqet një kërcënim për stabilitetin e gjithë rajonit. Në bazën e qasjes sonë ndaj Bosnjë e Hercegovinës miqësore dhe vëllazërore, së bashku me lidhjet tona historike dhe kulturore, qëndron pikërisht ky mirëkuptim. Në këtë kontekst duam që zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen në BeH më 6 tetor, të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe në mënyrën më të mirë”, tha Erdoğan.

Në takimin e sotëm u bisedua edhe për hapat që do të intensifikojnë dhe rrisin më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa Erdoğan tha se shpreson që deri në fund të vitit tregtia mes Turqisë dhe BeH-së të arrijë në një miliardë dollarë. Ai shtoi se vazhdojnë të punojnë për rritjen e këtyre shifrave.

“Kemi biseduar edhe për procesin e ndërtimit të autostradës Sarajevë-Beograd. Dhe me këtë rast thashë se është dëshira ime që ky projekt të realizohet sa më shpejt. I thashë vëllait tim të dashur se ne do të vazhdojmë të mbështesim projektet zhvillimore në Bosnjë e Hercegovinë, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës. Jemi të kënaqur që në shtatë muajt e parë, turistët turq ishin më të shumtët në BeH dhe që ia kaluan turistëve nga vendet fqinje. Së shpejti do të nënshkruajmë një marrëveshje që do t’u mundësojë qytetarëve tanë të udhëtojnë reciprokisht me kartë identiteti dhe kështu do të forcojmë më tej lidhjet midis kombeve tona”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se është biseduar edhe për bashkëpunimin ushtarako-sigurues, me referencë të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Erdoğan tha se gjatë takimit ka shprehur edhe pritshmëritë që ka Türkiye në luftën e përbashkët kundër organizatës terroriste FETO.

Ai përkujtoi se Turqia mbështeti përgatitjen dhe miratimin e Rezolutës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë dhe shpalli 11 shtatorin si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë me qëllim që të mos përsëriten kurrë krime të tilla të tmerrshme.

“Fatkeqësisht, sot në Gaza dhe në territoret e pushtuara palestineze jemi dëshmitarë të një masakre të ngjashme që u krye në Bosnjë e Hercegovinë në vitet 1990 para syve të gjithë botës. Autorët e gjenocidit në Gaza, si ata në Srebrenicë në 1995, do të mbajnë përgjegjësi para gjykatave ndërkombëtare”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se Izraeli me siguri do të ndiqet penalisht për vrasjen e më shumë se 41.200 palestinezëve në Gaza, përfshirë aktivistin turk Aysenur Ezgi Eygi, i cili u vra nga ushtarët izraelitë javën e kaluar në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Exit mobile version