Autoritetet turke po punojnë për të hyrë në bisedime me talibanët, tha Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Institucionet përkatëse të Turqisë po punojnë aktualisht derisa të arrijmë disa bisedime me talibanët. Ndoshta edhe unë mund të jem në një pozicion për të pritur personin që do të jetë udhëheqësi i tyre”, tha Erdoğan gjatë një interviste të përbashkët televizive të transmetuar drejtpërdrejt në CNN Turk dhe Kanal D.
Erdoğan tha se ai më herët ka biseduar me udhëheqësin e Katarit, me çka kanë diskutuar se “ku mund t’i ndalim hapat e ndërmarrë nga talibanët dhe ku mund të bëjmë një hap drejt paqes”.
Dhuna është përshkallëzuar në të gjithë Afganistanin pasi forcat e huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë tërhequr pothuajse pas 20 vitesh operacionesh ushtarake.
Talibanët kanë kapur me shpejtësi disa rrethe më të vogla administrative dhe tani po synojnë qytetet. Ata kanë kapur nëntë qendra krahinore nga forcat qeveritare brenda gjashtë ditëve.
Presidenti amerikan Joe Biden tha të martën se nuk është penduar për vendimin e tij për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani.
Biden pohoi se planet e tij për t’u larguar ushtarakisht nuk kanë ndryshuar pavarësisht avancimeve të grupit militant në fushën e betejës, duke theksuar se udhëheqësit e Afganistanit duhet të mblidhen së bashku për të “luftuar për veten e tyre, për të luftuar për kombin e tyre”. /aa