Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të dielën se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian nuk është më i nevojshëm, por se Ankaraja nuk do të braktisë njëanshmërisht negociatat rreth pranimit.
Ai tha se BE-ja ka keqkuptuar durimin që ka treguar Turqia që nga viti 1959, kur ajo aplikoi për anëtarësim, dhe tha se Turqia nuk do të jetë pala e parë që do të dalë nga kjo rrugë.
“Në të vërtetë, ju e shihni se nuk kemi më nevojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bashkimi ka vetëm një rrugë nëse dëshiron të bëjë hapa përpara, domethënë, ta pranojë Turqinë si një anëtare të plotë dhe të fillojë përparimin ekonomik dhe kulturor.
Nëse duan, ne do të jemi këtu dhe ne do të jemi të lumtur që të japim kontribut për të ardhmen evropiane. Megjithatë, për ne nuk ka dallim edhe nëse nuk e bëjnë këtë, ne do të vazhdojmë rrugën tonë të progresit”, tha Erdogan.
Duke folur me deputetët e Asamblesë së Madhe Kombëtare me rastin e hapjes së seancës së vjeshtës të parlamentit turk, ai theksoi se zhgënjimin më të madh në luftën kundër terrorizmit, Turqia e përjetoi pikërisht nga anëtarët e BE-së.
“Sot Evropa është bërë një vend ku terroristët mund të ecin lirshëm dhe mund të kryejnë çdo lloj operacioni kundër Turqisë dhe autoriteteve të saj legjitime”, tha Erdogan, duke shtuar se ishte i shqetësuar nga qëndrimi pasiv dhe i papranueshëm i disa anëtarëve të Bashkimit ndaj organizatave të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizatës së Fetullah Gylenit, të cilën Ankara akuzon për organizimin e grusht-shtetit të pasuksesshëm të vitit të kaluar.
Ministri turk për çështjet evropiane, Omer Çalik tha dy javë më parë se Turqia konsideron se udhëheqësit e BE-së e kanë tradhtuar atë, duke thënë se negociatat për pranimin me këtë vend duhet të ndërpriten, por theksoi se Turqia ende shpreson t’i bashkohet bllokut perëndimor./Mesazhi/