Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, para nisjes së vizitës së tij zyrtare në Bahrein, ka zhvilluar një konferencë për mediat në ambientet e aeroportit Ataturk në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e tij, duke vënë në dukje se në muajt e fundit kanë ndodhur gjëra të rëndësishme të cilat mund të ndryshojnë çdo gjë, për sa i përket çështjes së Sirisë, Presidenti Erdoğan u shpreh: “Jemi duke punuar me një ritëm të lartë në mënyrë që të ecë përpara procesi i zgjidhjes së çështjes së Sirisë, si dhe të ndalet sa më parë gjakderdhja. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha grupet në Siri në kuadër të drejtësisë, legjitimitetit dhe të vërtetës, pa lënë mënjanë të drejtën e dëshmorëve sirianë. Unë besoj që kjo përpjekje e vendit tonë në bashkëpunim me miqtë do të shkojë në përfundime të mira”.
“Synimi është 4-5 mijë kilometra katrorë zonë sigurie”
Duke vënë në dukje se synimi kryesor për Sirinë është siguria, Erdoğan në vijim të fjalës së tij ka theksuar: “Synimi në këtë mes është një hapësirë prej 4-5 mijë kilometrash si zonë sigurie. Normalisht që me këtë synojmë që të krijojmë një zonë të sigurtë për refugjatët që ikin nga vendet e konfliktit, si dhe të krijojmë mundësi për të dërguar sirianët që kemi të jetojnë në tokën e tyre. Për ta bërë këtë duhet që të ndërtojmë infrastrukturë, madje edhe qytete të reja. Këtë mendim unë e ndava edhe me Trumpin. E ndava me forcat e koalicionit, duke u nisur nga Gjermania”.
“DEASH-i ka hyrë në fazën e braktisjes së Al Bab-it”
Presidenti Erdoğan duke folur për ofensivën “Mburoja e Eufratit”, tha se momentalisht Al Bab-i është krejtësisht i rrethuar dhe më pas shtoi: “Momentalisht Al Bab-i është i rrethuar nga forca tona dhe ato të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS). Normalisht që pjesët më të rëndësishme të qytetit u morën pak ditë më parë dhe forcat tona të sigurisë kanë hyrë në qendër të qytetit. Pas hyrjes në qendër të qytetit, DEASH-i ka hyrë në procesin e largimit. Mendoj që është çështje momenti për marrjen nën kontroll”.
“16 prilli do të jetë një përgjigje për 15 korrikun”
Ndërsa në lidhje me referendumin për ndryshimet kushtetuese, Presidenti i Turqisë tha se vlerësimi i popullit është i rëndësishëm.
Duke e cilësuar këtë referendum si një përgjigje ndaj tentativës së FETO-s për grusht shteti Erdoğan ta: “16 prilli njëkohësisht do të jetë një përgjigje për 15 korrikun. Do të jetë një qëndrim i rëndësishëm ndaj 15 korrikut. Realisht askush nuk duhet ta çojë këtë çështje majtas ose djathtas. Ata të cilët thonë ‘jo’ faktikisht janë duke qëndruar në një vend ku qëndruan ata të 15 korrikut”.