Akademik Enes Kariç
Siç ndodh me largimin e njerëzve të mirë, lajmi për vdekjen e Dževad Karahasanit (1953-2023) pikëlloi shumë njerëz. Mes tyre Karahasani kishte miq, lexues, studentë, bashkëbisedues. Zoti i dha dhuratë takimin me ta përgjatë më shumë se pesëdhjetë viteve të tregimit dhe shkrimit të tij, si dhe punës së tij prej redaktori, regjisori, arsimtari dhe profesori. Kur janë në pyetje fjala dhe tregimi, pena dhe libri, Karahasani lindi nën disa yje fatlum dhe në shoqëri të shumë melaqeve. Dhe të gjitha këto tashmë janë të dukshme në dhjetëra libra të tij, veçanërisht në romane, qindra ese, shënime, recensione, pasthënie, intervista të tij. Sikur vargu në arabisht:
“Njeriu – ky është vetëm një tregim që mbetet pas tij,
Prandaj, bëhu një tregim i mirë për tregimtarët!”. –
dikur moti është kënduar mu për atë të tregojë edhe të vërtetën për Xhevad Karahasanin.
Kalimi i shenjave
Duke jetuar si njeri me dhunti të bollshme të imagjinatës dhe soditjes, si person me talent të pasur të shkrimit dhe tregimit që u shfaq në fjalët dhe tregimet emocionuese, në penën dhe librat pjellor, Karahasan të gjitha tregimet dhe shkrimet e tij tani, në ditën e largimit të tij nga kjo botë, ua la trashëgim studentëve, lexuesve, tregimtarëve dhe teoricienëve të letërsisë.
Karahasani nga vendlindja e tij Duvno doli në botë dhe me letërsinë e tij u dëshmua në mënyrë globale. Këtë e ka bërë në shumë fusha letrare. Për këtë do të thonë fjalën e tyre ata që janë ekspertë të fushës, që me dijen, kompetencën dhe thirrjen e tyre janë shumë më kompetentë se ai që po e shkruan këtë in memoriam. Do të merrja guxim t’ju kujtoja vetëm një gjë, në atë “kalimin e shenjave” të Karahasanit, siç do të thoshte këtë në një kontekst tjetër Julija Kristeva.
Në veprën letrare të Dževad Karahasanit, gjendet një nga shumë rubrikat me bollëk ku ai, si shkrimtar dhe tregimtar, me penën e tij dhe me “forcat” letrare që disponon, “lufton” kundër kufijve që me shenjat jo të këndshme ndajnë anët e botës. Kështu ai ngrihet kundër mureve që ngrihen midis Lindjes dhe Perëndimit. Në pelegrinazhet e tij letrare lindje-perëndim, Karahasani ka gostitur Mukaffën, Hallaxhin, Rabian, Tevhidin, Hajjamin … Këta dhe personazhe të tjerë, me zellin e fjalëve, tregimeve, penës dhe librave të Karahasanit, kalojnë horizontet e qytetërimeve dhe kulturave, i kapërcejnë anët e botës, pushtojnë shekujt dhe shfaqen në faqet e romaneve të tij, pikërisht në atë formën letrare që është më e përhapura në Perëndim.
Dhe kur zërat për të si shkrimtar dhe profesor shkuan në shumë vende të botës para se ai vetë të shkonte në to, Dževad Karahasan nuk pushoi as së lexuari dhe as së studiuari. Ai që në fillim të përpjekjeve të tij për ta sjellë botën në fjalë, i besoi një proverbi persian: “Nëse dëshiron të shkruash mirë – lexo, lexo, lexo!” Karahasani shkroi letërsi të shkëlqyer, por po ashtu, kishte njohuri universitare për shumë shkenca dhe disiplina shkencore për letërsinë dhe artin në përgjithësi. Në pamjen e tij njerëzore janë tepër të dukshme edhe autori, edhe profesori, edhe shkrimtari dhe profesori i letërsisë, dhe, në krye të të gjithave, është e dukshme edhe pena e tij letrare si magjistari më i madh dhe si shpjegim i kësaj bote përse mrekullia e penës është kaq joshëse!
Për të shkruar veprat e tij letrare Karahasani konsultoi biblioteka të tëra, edukimin e mirë humanist e konsideroi hap drejt letërsisë së mirë, besonte se letërsia edukon dhe bashkon, fisnikëron shpirtërisht dhe zgjon moralisht, por edhe edukon dhe shpie në forma më të larta të dijes. Kjo është e dukshme në veprat e tij: “Për gjuhën dhe frikën”, “Divani lindor”, “Unaza e Shahrijarit”, “Këshilli i natës”, “Ngushëllimi i qiellit të natës”, “Farat e vdekjes”, “Çfarë tregon hiri”… Intervistat e tij ishin pothuajse gjithmonë një kujtim letrar mbi botën e noumenëve nga bota e fenomeneve, dukej sikur përgjigjet e tij në intervista jepeshin mbi urën të ndërtuar përkohësisht që të çon në Botën Tjetër, mbi urën nëpër të cilën duhet kaluar jo vetëm si udhëtar, por më tepër si hije udhëtari. Përgjigjet e Karahasanit u shfaqen bashkëbiseduesve të tij si zëra të thellë nga hapësira e Berzahut, lokalitetit eskatologjik dhe motivit letrar që i shkonte për zemër.
Një det pa brigje
Të lexuara gjerësisht dhe me dëshirë në shumë gjuhë, veçanërisht në gjermanisht, veprat e Karahasanit janë njohur prej kohësh si dëshmia e tij unike për ekzistencën e fjalës letrare si dete pa brigje.
Në të paktën shtatë prej veprave të tij Karahasanin e shohim si atë shpendin lajmbekuar i cili motivet e rrëfimeve të mëdha të Lindjes i përcjell në Perëndim, por edhe anasjelltas. Le të shpresojmë për ardhjen e kohëve të lumtura kur këto dhe të tjera dimensione të romaneve të tij do të hulumtohen me kujdes.
Edhe më e rëndësishme se kaq është se Karahasani këtë “kalim të shenjave” të veta mes vendeve të botës e arriti në mënyrë letrare nga vendlindja e tij, vendi dhe shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Jo vetëm për opinionin intelektual të Evropës që flet gjermanisht, por edhe për trashëgimitë tjera të respektuara gjuhësore dhe qarqet e traditat letrare në Evropë dhe botën ku janë përkthyer veprat, Karahasan është ai që me fjalë, dhe më e rëndësishmja – me libër, prezantohet para asaj Bosnjë dhe Hercegovinë shpirtërore dhe plurale, të shkatërruar dhe e rrënuar, por që gjithsesi ekziston si një mall i fuqishëm, si një shpresë që i ngjason një ylli të largët. Më në fund, Dževad Karahasan shkroi faqe të paharrueshme për kopshtet dhe heshtjen në to. Mbetemi me shpresë që ai me këtë përshkroi ato kopshte parajse dhe kopshte të xhenetit të cilat ia dërgoi vetes si paradhënie, në të cilat ai tash u vendos, ku mu ai tash u gjend në bollëkun e të gjitha bukurive shpirtërore dhe natyrore, ku edhe shumë libra në raftet prej smeraldi, të gjitha ato janë të kapshme nga dora e tij!
P.S.
Më 19.5.2023 vdiq në Sarajevë Xhevad Karahasan, njëri ndër njerëzit më të mirë të penës dhe librit.
Përkthyer nga Nexhati Ibrahimi