Ëndrra e një nate vjeshte për një shtet bektashi brenda shtetit shqiptar

Roland Qafoku
  • U hodh si ide që në vitet ‘20-të për ta kthyer bektashizmin si kishë kombëtare për shqiptarët. Por, mbeti vetëm një ide. Dhe, arsyet nisnin që nga indiferenca fetare, harmonia fetare dhe më pak te rreziku i përçarjes fetare. Një analizë e mbështetur mbi tre autorë modernë si Clarissa de Waal nga Britania, Robero Morozzo Della Rocca nga Italia dhe Natalie Clayer nga Franca, shpjegojnë përse feja nuk është identitet i fortë për shqiptarët. Si e tillë, shteti bektashi do mbetet thjesht një ëndërr e një nate vjeshte të atyre që e ideuan, që e proklamuan dhe e botuan në gazetën “New York Times”.
  • Roland QAFOKU, Tiranë
  • Që nga viti 1896, kur u themelua, gazeta më e madhe dhe më me ndikim në SHBA dhe në botë, “New York Times”, ka pasur titull të madh kryesor të saj për Shqipërinë vetëm dy herë. Hera e parë ka qenë më 8 prill 1939, 24 orë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, me titullin “Shqiptarët i rezistojnë invadimit italian. Pushtohen katër porte. Mbreti Zog ofron kushte. Britanikët protestojnë. Berlini mbështet Musolinin”. Hera e dytë është më 22 shtator 2024, me një foto qendrore të madhe të shoqëruar me titullin dhe diçiturën: “Plan për një shtet të vogël dhe të ri. Baba Mondi, një klerik musliman shpreson për një shtet enklavë të ri në Tiranë të stilit Vatikan, me përmasa sa 5 blloqe qyteti”. As gjatë krizës dhe luftës në Kosovë në vitin 1999 kjo gazetë nuk kishte titull të madh për shqiptarët me këtë hapësirë dhe në këtë pozicion. Aso kohe “New York Times” ishte e mbushur ding me lajme nga faqja e parë ndoshta deri edhe te faqja e fundit, por asnjë lajm dhe titull i parë me fjalën Shqipëri dhe shqiptar nuk kishte. Po a është lajmi i këtij 22 shtatori një scoop që kjo gazetë e besueshme e parashikon dhe një ditë do rezultojë e vërtetë apo është thjesht ëndrra e një nate vjeshte dhe autori i shkrimit, Andrew Higgins, nuk do mjaftohet vetëm me kafshimin e buzëve për këtë informacion që hodhi një treg? Apo vërtet kemi të bëjmë me një projekt serioz që tarikati bektashi dhe qeveria shqiptare e kanë seriozisht për të themeluar një shtet brenda shtetit në kryeqendrën e trojeve shqiptare, Tiranë?
  • Ndërsa dallga e parë e postlajmit kaloi bashkë me habitë, e deri në shpërthimin e humorit në rrjetet sociale, ajo që e mban të ndezur zjarrin e debatit lidhet me pasojat që mund të ketë krijimi i këtij shteti dhe veçanërisht nëse do ta dëmtojë ose jo asetin më të madh të shoqërisë shqiptare, harmoninë fetare? Në fakt, i vetmi reagim nga komunitetet fetare në vend u bë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Në një deklaratë drejtuesit dhe përfaqësuesit e këtij komuniteti u shprehën të shqetësuar për termat “islam modern” dhe “islam shqiptar”. Por, ajo për të cilën vihej theksi në deklaratë kishte të bënte me harmoninë fetare. Në deklaratë shkruhej: “Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend. Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë dhe dialogun si ‘domain’ të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë. Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.”
  • Me pak fjalë, sipas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë themelimi i një shteti të tillë do ta dëmtonte harmoninë fetare në Shqipëri, duke sjellë pasoja të rënda. Por, sa e saktë është kjo? A do të sillte vërtetë dëmtimin e një aseti kombëtar identifikues të kombit shqiptar, që ne e kemi mbajtur dhe e mbajmë si trofe? Për ta analizuar këtë me imtësi unë kam marrë për bazë tre studiues modernë të huaj, që kanë kryer studime të thelluara për fenë në Shqipëri: Clarissa de Waal – antropologe sociale nga Britania dhe profesoreshë në Universitetin e Cenbridge, Robero Morozzo Della Rocca – historian nga Italia dhe profesor në Universitetin e Romës, si dhe Natalie Clayer – historiane nga Franca. Të tre kanë nxjerrë nga hiri për shumë e shumë vjet fakte dhe të dhëna të jashtëzakonshme, por njëkohësisht të tre kanë nxjerrë disa konkluzione të përbashkëta që konvergjojnë me njëri-tjetrin.
  • Clarissa De Waal, në librin “Mbijetesa, Shqipëria në postkomunizëm” (2005), shkruan: “Shqiptarët, për shkak të kushteve historike nuk kanë qenë kurrë një popull fetar. Gjatë Mesjetës së vonë vendi i tyre ishte shndërruar në një fushë beteje midis Perëndimit katolik dhe Lindjes ortodokse. Sa herë përparonte Perëndimi, zotërinjtë feudalë shqiptarë shpesh të pasuar nga popullsia e tyre përqafonin katolicizmin dhe sa herë fitues ishte Bizanti, ndërsa Perëndimi tërhiqej, ata përqafonin ortodoksinë. Mund të thuhet se nga pikëpamja fetare ata bënin jetë amfibe.” (Faqe 96).
  • Robero Morozzo Della Rocca, në librin e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”, shkruan: “Nganjëherë ekzistenca në Shqipëri e katër bashkësive fetare kryesore, myslimanë sunite, ortodoksë, katolikë dhe bektashinjve kanë qenë një faktor përçarje për popullin shqiptar duke u lejuar fuqive të huaja që të paraqisnin pretendime mbi Shqipërinë. Ortodoksët shqiptarë konsideroheshin në Athinë si një popullsi helenike, çka shërbente si pretekst për të kërkuar aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga ‘mëmëdheu’ grek. Por, nga ana tjetër, fetë u kanë lejuar shqiptarëve që të ruajnë identitetin e vet kombëtar, sepse jashtë fesë kishte shumë pak elemente që do t’u jepnin mundësi të dalloheshin nga serbët ose bullgarët në mënyrë të atillë që të ndalej asimilimi.” (Faqe 9).
  • Nathalie Clayer, në librin “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” (2012), shkruan: “Një specifikë e nacionalizmit shqiptar është se ai do të përpunohej duke u mbështetur kryesisht mbi gjuhën dhe jo mbi fenë si në rastet e nacionalizmave të tjera të rajonit, për shkak të disa besimeve fetare në mesin e shqiptarëve, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Ai do të kishte edhe më tepër pengesa për të kaluar se sa nacionalizmi ballkanik, jo vetëm ndarjet fetare.” (Faqe 11).
  • Nisur nga këto konkluzione të tre studiuesve të huaj, mund të themi se edhe sot tradita vazhdon, që shqiptarët të mos e kenë fenë si identitetin e parë, të madh, të rëndësishëm të kombit. Kjo mund të sjellë indiferencë fetare, që në shumë raste mund ta komentojmë edhe si harmoni fetare. Rrjedhimisht, kjo e ndihmon planin e bektashinjve për themelimin e një shteti brenda shtetit. Por, si po sillen tre fetë e tjera ndaj tarikatit dhe bashkësisë bektashiane? Fakti që për këtë çështje ka reaguar vetëm Komuniteti Mysliman dhe jo ai katolik dhe ai ortodoks, kjo e vërteton këtë indiferencë. Megjithatë, të njëjtët studiues kanë shpjegimet e tyre për këtë arsye. Kështu, studiuesja Clarissa De Waal merr për shembull historinë e një gruaje katolike, por që frekuentonte edhe teqenë. Në librin “Mbijetesa, Shqipëria në postkomunizëm” (2005) ajo shkruan: “Prena ishte katolike por në praktikë ishte eklektike. Ashtu siç shkonte në Kishën Katolike të sapo hapur aty pranë, ajo vizitonte shpesh edhe dervishen myslimane Hatixhe e mirënjohur për shërbimet dhe mrekullitë e saj. Prena dhe Aishja përveçse ishin fqinje, ishin edhe shoqe të ngushta. Ato ishin njëlloj eklektike për shpëtimin nga syri i keq. Hera herës ato këndonin vargje nga Kurani, ndërsa hidhnin në ujë një thëngjill të ndezur, kurse herë të tjera përdornin një kryq, vaj dhe ujë. Më pëlqente se si shqiptarët kishin qejf të theksonin siç bëjnë edhe tani se mbi të gjitha ka një perëndi.” (Faqe 44).
  • Ndërkaq Robero Morozzo Della Rocca, në librin e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944.” (1994) shkruan: “Ka paralelizma të ngushtë midis praktikave fetare të bektashinjve dhe atyre kristiane. Ritet e bektashinjve riprodhonin pak a shumë me besnikëri deri gjashtë nga shtatë sakramentet kristiane. Ndërmjet bektashinjve dhe katolikëve mund të gjenden patriotët më të mëdhenj shqiptarëve në epokën e luftërave për pavarësi. Në urdhrin dervish bënte pjesë edhe Naim Frashëri, i cili teorizonte haptas pajtimin midis patriotizmit dhe fesë.” (Faqe 39 dhe 41).
  • Naim Frashëri ishte një mit në fshatrat dhe zonat ku lindi dhe lëvrua bektashizmi. Si një poet kombëtar që thuri vargje për Skënderbeun dhe natyrën e atyre viseve, Naim Frashëri predikoi njëkohësisht doktrinën bektashiane si një amalgamë shpirtërore që i bashkonte të gjithë që besonin në një Zot. Në “Fletoren e bektashinjve” në vitin 1896 Naim Frashëri shkruante:
  • “Jo vetëm ndërmjet tyre, por edhe ndaj gjithë njerëzve, bektashinjtë janë vëllezër. Ata i duan myslimanët e tjerë dhe të krishterët si shpirtin dhe sillen me të vërtetë mirë me të gjithë njerëzit. Por, sidomos duan atdheun dhe miqtë e atdheut, sepse ata janë pasuri më e madhe.” (Fletorja e bektashinjve 1926, faqe 240).
  • E Nathalie Clayer, në librin e saj “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” (2012) shkruan: “Ku dalloheshin bektashinjtë nga myslimanët e tjerë? Bektashizmi ishte para së gjithash një sinkretizim. Këtu nuk kemi të bëjmë me një doktrinë dhe një tërësi praktikash të ngrira. Ato kanë evoluar sipas periudhave dhe krahinave sipas mënyrës së përthithjes së elementëve të ndryshëm të besimit”. (faqe 55)
  • Ndërsa Robero Morozzo Della Rocca në librin e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944.” shkruan: “Vendi që bektashinjtë zënë ndër fetë e Shqipërisë është i caktuar mirë. Ata nuk janë, ta marrësh hollë-hollë, as myslimanë as të krishterë. Bektashinjtë do të përfaqësonin atë tip feje që u përshtatet më shumë ndjenjave patriarkale të racës shqiptare dokeve dhe zakoneve të popullsisë vendase të paçkombëtarizuar. Shqipëria e cila tani e drejton fytyrën nga perëndimi përparimtar e ndien se Kurani konservator, sado që të jetë një libër fisnik, e pengon përparimin. Bektashizmi ofron një islam që lejon përparimin në vijën e perëndimit”. (Faqe 43, 44).
  • Më tej edhe Nathalie Clayer, në librin e sipërcituar shkruan: “Islami i Teqesë kontribuonte në ndërtimin e rrjeteve të veçanta të solidaritetit, teorikisht ai nuk binte ndesh me islamin e xhamisë. Teqetë mund të ishin të lidhura me xhamitë, por nuk ndodhte përherë kështu. Kundërshtitë më të forta dhe më domethënëse teqe/xhami duket se u përvijuan në shekullin e XIX midis myslimanëve që i përkisnin sektit bektashi dhe të tjerëve”. (Faqe 43).
  • Po ashtu edhe Robero Morozzo Della Rocca në librin e përmendur do të shkruajë: “Manastiret e bektashinjve dukeshin në sytë e udhëtarëve perëndimore që kanë lënë shumë përshkrime si oaze qytetërimi dhe pastërtie në kontrast të madh me botën përreth.” (Faqe 38).
  • Të gjitha këto fakte, të dhëna, deri në doktrina, çuan në hedhjen e idesë në vitet ‘20-të se bektashizmi të ngrihej si një lloj kishe kombëtare. (Robero Morozzo Della Rocca në librin e tij “Kombësia dhe feja në Shqiëpri 1920-1944, faqe 42). Pra, ideja e ngritjes së një shteti bektashi ishte hedhur më shumë se 100 vjet më parë. Duket se disa këshilltarë të kryeministrit Edi Rama e kanë nxjerrë mbi ujë këtë fakt dhe duan ta zbatojnë pas një shekulli.
  • Ndonëse nisi me lajm scoop dhe ndonëse nisi me shumë bujë, duket se themelimi i një shteti bektashi në Tiranë do mbetet në letër si ideja për kthimin e bektashizmit në një kishë kombëtare. Dhe kjo nuk ka të bëjë me rrezikun e prishjes së harmonisë fetare. Por, më shumë me një indiferencë masive të shoqërisë, tamam siç ndodhi në vitet ‘20-të dhe mbeti vetëm si e tillë. Ndoshta edhe lajmi i 22 shtatorit në gazetën “New York Times” do mbetet i tillë. Dhe, e vetmja arritje është se Shqipëria kapi diçka, titullin e faqes së parë të mbretëreshës “New York Times”. Dhe, kjo nuk është pak. /revistashenja