Veterani dhe njëherit invalid i luftës Nezir Berisha nga fshati Volljakë i Klinës bëhet me banesë të re.
Kjo falë shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, e cila arriti të grumbullojë mjete nga donatorë dhe vullnetmirë, të cilët iu përgjigjen ftesës për ta ndihmuar këtë veteran që jetonte me gruan dhe 6 vajzat në gjendje të mjerueshme.
Drejtori i kësaj shoqate, Halil Kastrati thotë se edhe pse nuk është arritur shuma e duhur e parave, këtë ua mundësoi pronari Naim Topalli.
Banesa është 76 metra katror, ka dy dhoma gjumi dhe një sallon me kuzhine.
“Banesa është blerë 23 mijë euro, e falënderoj pronarin Naim Topalli nga fshati Baincë i Drenasit i cili me të vërtetë u tregua shumë solidar me ne për çmimin e banesës. Shpresojmë të kemi bamirës që na ngjisin dorën dhe të arrijmë pagimin komplet të banesës”, thotë ai.
Ai thotë se përveç blerjes edhe e kanë mobiluar banesën, e cila komplet ka kushtuar 2000 euro.
E kryefamiljari Nezir Berisha është shprehur i lumtur. Ai falënderoi Halil Kastratin dhe të gjithë ata që ia mundësuan të bëjë një jetë më ndryshe.