Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në njoftimin për medie të MPJ bëhet e ditur se në agjendë të takimeve ka pasur agjencitë për investime dhe Dhomën Tregtare të këtij vendi.
Ministri Hoxhaj ka takuar Majed Al Romaith nga Autoriteti i Investimeve të Abu Dhabit dhe me drejtorin e përgjithshëm, Mohamed H. Al Mihairi, të cilët i ka ftuar për investime në Kosovë.
“Krahas prioritetit tonë për ta avancuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, ndër qëllimet tona gjatë këtij viti do të jetë diplomacia ekonomike meqë ne duhet ta ushtrojmë një politikë të jashtme, e cila i përmbushë kërkesat tona të brendshme dhe ato janë se si të ketë rritje ekonomike, të ketë krijim të vendeve të reja të punës. Të dyja këto kërkesa varen nga investimet e huaja. Në këtë drejtim unë kam arritur që gjatë kësaj vizite të takoj Autoritetin e Investimeve të Emiratave, Odën e Tregtisë së Jashtme dhe të Industrisë, si dhe një numër të madh të asociacioneve dhe bizneseve të cilat shpresoj që në të ardhmen do të investojnë në Kosovë, dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me bizneset dhe ekonominë tonë”, citon njoftimi ministrin Hoxhaj.
Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Odës së Tregtisë dhe Industrisë, Mohamed H. Al Mihairi ka thënë se Kosova do ta ketë mbështetjen e të gjitha odave tregtare për organizimin e Forumit të Madh Ekonomik.
“Kam kënaqësinë që kam pritur ministrin e Jashtëm të Kosovës. Marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve tona janë shumë të mira ndërsa në aspektin tregtar ka ngecje në këto marrëdhënie dhe ne kemi për obligim që ti fuqizojmë edhe më tej këto marrëdhënie. Nuk mund të them nëse është sektori privat tek ne apo tek ju por ne e mbështesim iniciativën për organizimin e Forumit që do të mbahet në fund të këtij viti dhe e keni mbështetjen tonë për mbajtjen e këtij forumi në emër të të gjitha odave tregtare të Emirateve. Unë shpresoj që shpejt vitin e ardhshëm ta vizitoj Kosovën së bashku me një delegacion të biznesmenëve të Emirateve dhe të zhvilloj takime në ministrinë e Jashtme të vendit tuaj”, ka thënë Mohamed H. Al Mihairi.
Nga ana e tyre, autoritetet ekonomike të Emirateve janë shprehur të gatshme të angazhohet seriozisht në një të ardhme të afërt për të shqyrtuar të gjitha mundësitë për investime në Kosovë.
Kryediplomati Hoxhaj gjatë qëndrimit në Emirate ka takuar edhe kontigjentin e ushtrisë të Emirateve të cilët kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it në Kosovë, ndërsa një ditë më herët edhe ministrin e Jashtëm të këtij shteti, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.