Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa sot së bashku me ministrin e Shëndetësisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdul Rahman Mohammed Al Owais morën pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së spitalit të Vushtrrisë, Spitali Sheikh Zayed, i cili është investim i Emirateve të Bashkuara Arabe. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Imet Rrahmani dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas ceremonisë së hapjes së spitalit, u bë leximi i Kur’anit, ku më pas u prezantua edhe një video e përgatitur për këtë rast, ku shihej edhe mbështetja e Emirateve të Bashkuara Arabe për kosovarët pas luftës së fundit në vend.
Në ceremoni kryeministri Isa Mustafa mbajti një fjalim, ku u shpreh se ky investim është një simbol i miqësisë mes dy vendeve, të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Duke theksuar se gjatë hyrjes në spital, ministri i Shëndetësisë Al Owais ka falënderuar se i është dhënë rasti për të investuar në Kosovë, kryeministri Mustafa u shpreh se në fakt Kosova është falënderuese që ka një mik të tillë, që e përkrah këtë vend dhe qytetarët e saj, që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme.
“Është ky investim prej 7 milionë eurosh, për çka jemi shumë falënderues ndaj Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Është një hap shumë i rëndësishëm në përgatitjen gjithëpërfshirëse të infrastrukturës shëndetësore, për të mundësuar reforma të rëndësishme dhe të suksesshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Në këtë rrugëtim spitali Sheikh Zayed me 6 departamentet e tij dhe pajisje moderne do të jetë padyshim një pikë referuese për mbi 400 mijë banorë të Vushtrrisë dhe rrethinës”, tha kryeministri Mustafa.
Duke vënë në dukje se ky është një prej projekteve më madhore të pasluftës në shëndetësinë e Kosovës, kryeministri Mustafa po ashtu shprehu interesimin për thellimin e bashkëpunimit të dyanshëm me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kurse në emër të Ministrisë së Shëndetësisë së Emirateve Arabe, ambasadorja e EBA-së në Podgoricë, Hafsa Abdulla Al Ulama u shpreh se ndjehet e kënaqur që ndodhet në Kosovë në këtë ditë të rëndësishme, duke theksuar se ky shtet është shtëpia e tyre e dytë.
Duke vënë në dukje se ndihen të lumtur që po e bëjnë inaugurimin e spitalit të rikostruktuar në qytetin e Vushtrrisë, ambasadorja Al Ulama tha se “Ky spital i cili është një simbol i miqësisë në mes të dy shteteve tona, është i pajisur me pajisje më të reja dhe më kompetente si dhe me staf profesional, që do të shërbejë për kujdesin shëndetësor të popullit të Kosovës”.
Pas fjalimeve kryeministri Mustafa dhe ministri Al Owais, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë vizituan repartet e ndryshme të këtij spitali.
Rikonstruksioni i Spitalit Sheikh Zayed në komunën e Vushtrrisë u realizua në saje të donacionit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Gjysmë Hënës së Kuqe të EBA-ve. Inaugurimi i spitalit është bërë më 17 janar 2003.