Emiratet dhe Bahreini detyrohen të lëshojnë pe përballë Katarit…

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) njoftoi se Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë pranuar të hapin një pjesë të hapësirave të tyre ajrore për linjën ajrore të Katarit, Qatar Airways.

Bahreini dhe EBA kanë hapur disa korridore ajrore për Qatar Airways, ndërsa në mesin e këtyre gjenden edhe korridorë të përkohshëm dhe emergjentë, njoftoi Anthony Philibin, zëdhënësi i ICAO-s, organizatë kjo me bazë në Montreal të Kanadasë.

Siç njoftohet, ICAO ka punuar që nga 5 qershori me shtete të ndryshme të Lindjes së Mesme për të siguruar korridor ajror për Qatar Airways.

Vendimi vjen pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të ICAO-s në Montreal në fund të muajit të kaluar, pasi Katari paraqiti një ankesë në këtë organizatë.