Emigrantët që kërkojnë azil në SHBA, përballen me kushte të vështira në Meksikë

Mijëra emigrantë që kërkojnë azil në SHBA po vendosen në kampe të stërmbushura me njerëz në kushte të këqija sanitare rreth kishës La Soledad në kryeqytetin e Meksikës, Mexico City, raporton Anadolu.

Përderisa refugjatët e bllokuar në vend për muaj të tërë presin në kamp, ata janë të ekspozuar ndaj shfrytëzimit të punës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Emigrantë nga Hondurasi, Haiti, Venezuela dhe vendet afrikane i kalojnë ditët në kampe të improvizuara në Plaza de La Soledad në lagjen La Merced.

Ndërsa nuk dihet fati i emigrantëve që dëshirojnë të udhëtojnë në SHBA, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar tha se “Meksika do të ndalojë fluksin e emigrantëve”.

“Sapo pata një bisedë të mrekullueshme me presidenten e re të Meksikës, Claudia Sheinbaum Pardo. Ajo ka rënë dakord të ndalojë imigrimin përmes Meksikës në SHBA, duke mbyllur në mënyrë efektive kufirin tonë jugor”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Presidentja meksikane, Sheinbaum Pardo gjithashtu konfirmoi se pati një bisedë me Trumpin, duke thënë se i shpjegoi atij strategjinë gjithëpërfshirëse që Meksika ka ndjekur për të adresuar migracionin duke respektuar të drejtat e njeriut.

“Falë kësaj, emigrantët dhe karvanët ndihmohen përpara se të arrijnë në kufi. Ne ritheksojmë se qëndrimi i Meksikës nuk është të mbyllë kufijtë, por të ndërtojë ura midis qeverive dhe midis popujve”, pati shkruar ajo në X.