Qindra emigrantë pa dokumente, të cilët kishin ngritur kampe në ndërtesat kryesore të Brukselit, përfshirë atë të një kishe të shekullit XVII, i kanë dhënë fund grevës dymujore të urisë.
Qeveria belge dhe zëdhënësit e lëvizjes së emigrantëve deklaruan se grevistët, disa prej të cilëve kishin refuzuar edhe ujin në ditët e fundit, kanë filluar të konsumojnë ushqime sërish.
Mbi 400 emigrantë, shumica e të cilëve punojnë në Belgjikë prej dekadash, hynë në grevë më 23 maj për të detyruar qeverinë vendase të rishqyrtonte statusin e tyre.
Shumë prej tyre thonë se janë prekur jashtëzakonisht nga kriza e pandemisë, pasi bllokadat e vendosura eliminuan vendet e tyre të punës, kryesisht në sektorin e hotelerisë dhe bareve e restoranteve.
Një zëdhënës i lëvizjes së tyre, i quajtur Ahmed, tha se greva ishte ndërprerë pasi qeveria kishte sqaruar procedurat, duke u lejuar atyre të plotësojnë kërkesat për të drejtën për të jetuar dhe punuar në Belgjikë.
Qeveria belge instaloi një “zonë neutrale” për të këshilluar aplikantët bazuar në rrethanat individuale të tyre dhe për t’i ndihmuar ata në plotësimin e kërkesave për dokumente. /euronews