Ballina Artikuj EMANETI 12-VJEÇAR

EMANETI 12-VJEÇAR

“Aliun r.a. e do vetëm besimtari, ndërsa e urren vetëm hipokriti”.
(Muslimi)

“Ruajuni – para së gjithash – për veten, sepse atëherë edhe njerëzve do t’iu mbetet më shumë”.
(Tolstoi)

Emanet apo amanet?! Është kjo një ndër fjalët që është shfaqur para se të shfaqet koha dhe gjithësia, kur Zoti ka dashur të shohë se kush nga krijesat e Tij do ta pranojë atë që ua ofron Ai: të gjithë kanë refuzuar, përpos njeriut, e për fat të keq këtë “urdhër”, si duket, sot të gjithë janë duke e mbajtur, përpos njeriut. Edhe kafsha është më “e besueshme” se njeriu; asaj mund t’ia lësh në besim fëmijën, shtëpinë dhe e ruan për aq sa ka mundësi, e sa për njeriun, siç themi ne: “pasha Zotin është shumë rëndë t’i besohet!”. Ai që nuk beson Zotin, nuk e kupton as amanetin, respektivisht peshën e tij. Kjo është vis-a-vis thënies: “Kemi ateistë të mirë, por nuk kemi ateizëm të mirë”. Është shumë interesante se terminologjia shqiptare termin amanet akoma nuk e ka shqipëruar, jo pa qëllim, por për arsye se shqiptari tërë historinë e ka pa amanet: ai është duke e tradhtuar vetveten, gjuhën, vendin dhe shtetin. Si duket edhe nacionalizmi shqiptar është treguar i dobët në këtë, e të mos flas për marksizmin/ateizmin, që ka pasur mundësi “ta zëvendësojë” këtë fjalë me një tjetër.

Amaneti ka të bëjë shumë me ndërgjegjen e njeriut, ndërsa ndërgjegjja e njeriut buron nga veprimet e tij. E keqja manifestohet përmes rënies morale, por edhe nga raporti i njeriut ndaj vetvetes, ndërgjegjes dhe veprimeve të tij. Kështu, e keqja shprehet në kuptimin ekzistencial dhe etik të veprimit. Ajo është gjithmonë në kufirin midis jetës dhe vdekjes. Nga njëra anë, është vështirësia e ekzistencës, ndërsa nga ana tjetër është dëshira për arritjen e qëllimit dhe realizimin e idealit. Dysia e natyrës së njeriut, lufta e përhershme midis dritës dhe errësirës, që e thekson Simon Vej – kur pohon se në vete ne kemi përvojat e së mirës dhe së keqes, në të njëjtën kohë mëkat dhe dhimbje, të mirën dhe të shëmtuarën në ne – është vendimtare për veprimet e njeriut në jetën e përditshme. Nga ajo dalin çështjet e ndërgjegjes, pranimit të fajësisë, pendimit dhe raportit ndaj Tjetrit dhe të ndryshimit.

Para ca ditësh, pas namazit të sabahut, më erdhi një porosi nga një djalë i ri nga Ankaraja, i cili ma përcillte një rrëfim nga Ajdin Karakimseli, për diçka që i kishte ndodhur atij, e që ishte mjaft domethënëse, me përmasa të një metafizike, që fjalori i sotëm nuk ka mundësi ta shpjegojë, andaj e quan “çmenduri!” (Kjo ngjarje paska qenë në planet e rahmetli Akif Emres për ta bërë një përmbledhje rrëfimesh të ndryshme, nga vende të ndryshme, me titull “Köşe taşları” (Gurët e cepit). Emre ishte një gazetar që ndërroi jetë para dy vitesh. Ai e çmonte lirinë dhe përgjegjësinë dhe nuk ndjente nevojë të anonte as nga e djathta e as nga e majta,

ndërsa heshtja e tij ishte më domethënëse se të folurit e shumë figurave që mëtojnë se kanë bërë “ndryshime” të mëdha. Madje, në vitet e fundit të jetës edhe shokët e tij më të ngushtë, që kishin/kanë pozita “të larta”, u distancuan nga ‘heshtja’ e tij.

Çfarë rrëfente Ajdin Karakimseli:

“Një ditë prej ditësh dikush më mori me telefon dhe më tha: ‘Zotëri, unë jam filan filani dhe ne duhet patjetër të shihemi’. Për arsye se nuk e njoha, ia mbylla telefonin. Mirëpo, thirrjet vazhduan për tri ditë rresht dhe pas tri ditësh zëri në anën tjetër të lidhjes më tha: ‘Ju lutem më dëgjoni, unë jam filani dhe jam në filan vend. Nëse dëshiron eja të shihemi dhe ja po ta dërgoj edhe adresën e saktë ku duhet të takohemi’. Më në fund, u binda disi se duhej të takohesha me personin e panjohur dhe të shoh se për çka bëhet fjalë. U nisa në adresën e dhënë, e gjeta vendin në lagjen “Mevlana”, një nga ato të varfrat e Stambollit, dhe u futa brenda në shtëpi. U binda se personin që m’u lajmërua disa herë e njihja. Por, përveç tij, në dhomë ishte edhe një grua me mbulesë, e ulur përdhe dhe e përulur, thuajse duke bërë sexhde, sikur duke iu lutur Zotit për falje; kishte një qëndrim si të atyre që kanë bërë mëkat. Me t’u ulur, e pyeta të zotin e shtëpisë se përse duhej të vija këtu e të takoheshim. Atëherë ai më pyeti nëse kisha humbur diçka para disa vitesh. ‘Nuk më kujtohet’, iu përgjigja. Ai vazhdoi të pyeste: ‘Në filan vend a nuk keni humbur diçka?’. U përgjigja: ‘Po, por kjo ka ndodhur shumë kohë më parë, nuk më kujtohet saktësisht…’ ‘A nuk të kujtohet se kjo ka ndodhur para 12 vitesh?’, ‘Po. më kujtohet, kjo ndodhi në një mëngjes kur me shpejtësi, duke u nisur për në punë, e mora çantën ku i futa 1.200 USD dhe ca lira… E di që ndalova diku dhe pastaj, kur hipa në autobus, e kuptova se diku e kisha harruar çantën, por nuk e dija se ku dhe e lashë me aq’. Ja, kishin kaluar 12 vjet nga ajo ngjarje dhe dikush tani këtë ma kujtonte. Kjo edhe më shumë më habiti dhe pyeta se ç’kishte lidhje kjo me të? ‘Eh zotëri, kjo grua pranë nesh është ajo, në dyqanin e së cilës e keni harruar çantën, dhe e cila ka dashur t’ju informoj, por për shkak se ju jeni larguar shumë shpejt dhe ngaqë i shoqi i papërgjegjshëm e ka qortuar që të mos u vihej prapa, ajo nuk e ka bërë këtë. I shoqi, si delikuent që ishte, e që për momentin është në burg, i kishte marrë paratë tuaja dhe i kishte harxhuar. Ajo është motra e gruas sime, e cila ka një fëmijë dhe punon si pastruese për t’u kujdesur për të’. E dëgjova dhe sërish u habita se çfarë dëshironin të më thoshin me këtë. ‘Zonjën ky rast e ka shqetësuar dhe lodhur pa masë, për arsye se e ka ndjerë përgjegjësinë e madhe ndaj amanetit, të cilin nuk ka pasur mundësi ta çojë në vend. Pastaj, varfëria e ka shtyrë që vite të tëra, respektivisht 12 vjet, të kursejë nga fitimet e pakta të saj, që të mund t’ua kthejë juve. Dhe, mos harroni, ajo as nuk e ka ditur se për çfarë valute bëhet fjalë!?!’ Ndërkohë, ajo vazhdimisht kërkonte nga unë që t’ia bëj hallall”.

Nuk ta zgjas më tepër, edhe pse ky rrëfim kishte edhe ca detaje të tjera… Për mua, kjo ishte tamam sikur “më erdhi rrotull Deti Marmara”, siç do të thoshte Dritëro Agolli… Pas kësaj ngjarje, më e mira është heshtja, vetmia, sëmundja, lindja dhe vdekja, se përndryshe ajo mbetet e pakuptimtë, sidomos për atë mendësi që mundohet t’ia zbrazë shpirtin kombit të vet, duke e lënë jashtë metafizikës dhe lezetit të lagies nga shiu.

Në kohën tonë çështja e emanetit/amanetit (sipas fjalorit tonë) dita-ditës është duke mbetur vetëm në faqet e fjalorit; për fat të keq, ajo fjalë e ka humbur përgjegjësinë njerëzore. Ja, në çast, m’u kujtua një shoku im i dashur, të cilit kur ia parashtrova pyetjen: “Si ia kalove, çfarë pe atje në Irak?”, më tha: “Shumë gënjeshtër dhe papërgjegjësi. Madje, një ditë një arab më

tha: ‘mos u habit, se këtu tek ne edhe hoxha, imami gënjen, dhe fare nuk kujdeset për përgjegjësinë/emanetin’.”

Sinqerisht më shqetëson se përse Fjalori i gjuhës sonë shqipe nuk ia ka kushtuar rëndësinë e duhur këtij termi, jo vetëm në anën metafizike, por edhe në atë fizike: amaneti i babait, amaneti i nënës… E kuptoj se kjo është bërë me “vetëdije”, sepse ne jemi të rrethuar nga një hapësirë ku fare nuk kemi përgjegjësi, si njerëz me “ndërgjegje” familjare, fshatare, qytetare e shtetërore. Ju e shihni se çfarë ndodh tek ne: borxhi nuk kthehet; njerëzit janë të tmerruar nga vjedhjet; figurat fetare e kanë harruar përgjegjësinë e fjalës besim (iman), e të mos flas se me çfarë papërgjegjësie harxhohet vakëfi, që është emanet. E ç’të thuhet për politikën, e cila ka krijuar mekanizëm që të mbisundojë sundimi pa emanet dhe përgjegjësi, ndaj ka humbur përkufizimi i vjedhjes. Vjedhja dhe çrregullimi janë bërë sistem, për të cilin ne votojmë dhe paguajmë tatime; faktikisht, me “ndihmën” tonë është duke mbisunduar sundimi i papërgjegjësisë. Kjo është psikozë shkatërrimtare; mu ashtu siç përshkruhet edhe në dramën e Tolstoit “Mbretëria e errësirës”. Aty në themel të dramës është tema e lakmisë, ndërsa nga ajo formohen motivet e krimit, dhunës, paragjykimit, frikës, pranimit dhe pendimit. Të gjitha këto motive janë formësuar në metaforën potente psikologjike të dramës, në themelin e së cilës kristalizohet dobësia e njeriut dhe prirja drejt rënies morale, shpirtërore dhe fizike. Tabloja realiste, që mund të shihet nga kjo dramë: makinacionet, primitivizmi dhe planet shtazarake në emër të grumbullimit material, është në fakt tabloja më e gjerë e botës ku individi ballafaqohet me të keqen, i papërgatitur për ta kapërcyer kufirin e të lejuarës dhe për t’i pranuar mëkatet dhe ndjenjat e tij. Prandaj, nuk habit fakti që në këtë dramë të gjitha krimet ndodhin në emër të fesë, forcës së padukshme, si mburojë para ballafaqimit personal me veprimet. Heronjtë thellësisht fetarë të kësaj drame, në mënyrë patologjike, i justifikojnë lëvizjet e tyre amorale, duke u detyruar ta vazhdojnë jetën në tunelet e errësirës personale dhe “paemanetësisë” ekzistenciale. Dënimi i “paemanetësisë” është një tmerr i gjallë, sepse zëvendësohet me demonin, që edhe të keqen e bën në formën “e mirë” dhe aty fshihet problematizimi i thellë i së keqes, ku çdo këshillë mbetet pezull, sepse është tradhtuar emaneti. E orientuar nga çështja e së keqes dhe rënies morale të njeriut, drama mund të lexohet si tragjedi e ekzistencës para barrës së botës. Ku janë kufijtë e pendimit dhe pranimit? A ka kuptim të pranohet çfarëdo qoftë në botën e shëmtimit të çnjerëzuar? Janë këto pyetje që e kapërcejnë teatrin dhe futen në metafizikë dhe, me këtë, arrijnë edhe te vetë njeriu si individ, që është mbase i pavetëdijshëm se ai është e keqja më e madhe.

Fjala e Shenjtë i ka kushtuar rëndësi çështjes së emanetit, sepse – në fakt – edhe njeriun e ka lartësuar/“dënuar” me pranimin e amanetit. Kur’ani thotë: “E sikur të kishim dashur Ne, do t’i tregonim ty (Muhammed) se kush janë ata, e do t’i njihje konkret, po me siguri do t’i njohësh përmes mënyrës së fjalës së tyre, e Allahu i di veprat tuaja” (Muhammed, 30). Nëse dëshironi ta kuptoni këtë ajet, do të ishte mirë ta përjetoni dramën e motrës në fjalë, që e dëshmon dyanësinë e njeriut; atë e ka shqetësuar pamundësia që me vite ka pritur ta dëshmojë njëanësinë – përgjegjësinë e amanetit; një thirrje hyjnore që dita-ditës është duke na dënuar. E ne gabojmë kur dëshirojmë që ajetet e Zotit t’i kuptojmë aty për aty; jo, nganjëherë duhen dymbëdhjetë vjet për të kuptuar.

Kur flasim për çështjen e emanetit, detyrimisht flasim edhe për hipokritët ose munafikët, dhe Kur’ani, duke paralajmëruar për dëmin e tyre në fe, por edhe në shoqëri, i përmend ata në shumë vende, duke i përshkruar tiparet e tyre, si janë ata në marrëdhëniet ndërnjerëzore,

ndërsa fle edhe për ndëshkimin që i pret dhe gjëra të tjera. Madje, edhe një sure e Kur’anit është e emërtuar sipas tyre. Po ashtu në Sunnetin e të Dërguarit a.s. përmenden shumë hadithe që flasin për munafikët dhe tiparet e tyre. Kur bëhet fjalë për tiparet e mynafikëve, në saje të të cilave mund t’i njohim ata, hadithi më i spikatur është ai që e ka shënuar Ebu Hurejre r.a., ndërsa përcjell se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Tre janë tiparet e munafikut: kur thotë diçka, gënjen; kur premton, nuk e mban premtimin; dhe kur i besohet diçka në emanet, ai e tradhton emanetin“. (Buhariu dhe Muslimi)

Për arsye se çështja e emanetit është shumë e rëndësishme, brenda këtyre ditëve në mendje më janë rrotulluar mendime dhe fotografi të ndryshme të realitetit tonë: merret borxh, nuk kthehet; vakëfi harxhohet; mishin sadaka e ha i pasuri; notat falen; hajduti bëhet hoxhë; kasapi bëhet mjek; pabesimtari bëhet “besimtar”… Pas gjithë kësaj detyrimisht na shtrohet pyetja: si është e mundur që ne akoma të frymojmë? Edhe “fetë qiellore”, nga keqpërdorimi i paemanetësisë, u shërbejnë atyre që nuk duhet shërbyer.

Për fund, dëshiroj t’i falënderohem motrës në fjalë, të cilën nuk e njoh e t’i them se: jam “dashuruar” në ty dhe të falënderohem që ma përkujtove këtë fuqi të besimit dhe thellësisë së emanetit.

Ismail Bardhi

Shkup, 4 mars 2019

Exit mobile version