Ndryshe nga lëvizjet feministe, emancipimi i femrës në Islam nuk ka filluar nga femrat, por është shpallur prej Allahut profetit Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në shekullin e shtatë.
Kur’ani dhe Hadithi ose Suneti i të Dërguarit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) janë burim prej të cilave çdo femër muslimane nxjerr të drejtat e saj, përgjegjësitë dhe detyrat.
Burrat dhe gratë janë të barabartë para Allahut; kjo ka të bëjë me kushtet e adhurimit, zbatimit të tyre dhe lartësimit të Tij.
Gjithashtu, ata dënohen njësoj kur bëjnë ndonjë mëkat. Për shembull kur bëjnë amoralitet, si burri ashtu edhe gruaja marrin dënimin e njëjtë.
Allahu thotë në Kur’an:“O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kinie frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” (En-Nisa: 1)
Meqenëse që të dy – burri dhe gruaja vijnë prej esencës së njëjtë, ata janë të lidhur njësoj me të drejtat e njeriut. Gruaja nuk mund të konsiderohet e ligë nga natyra (siç mund të mendojnë disa njerëz) se atëherë edhe burri duhet të jetë i ligë gjithashtu.
Në këtë mënyrë, asnjëra gjini nuk mund të jetë superiore sepse do të ishte në kundërshtim me barazinë.
Islami gjithashtu iu jep grave shumë të drejta qytetare; gruaja muslimane ka lirinë themelore të zgjedhjes dhe të shprehjes bazuar në miratimin e personalitetit të saj individual.
Së pari, ajo është e lirë për ta zgjedhur fenë e saj. Në një ajet të Kur’anit thuhet: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota…” (El Bekare: 256)
Në Islam roli i femrës është i balancuar, por i drejtë. Ajo është larguar nga detyrimi për ta mbajtur vetveten. Në vend të saj burri e merr këtë përgjegjësi, babai ose vëllai dhe madje edhe qeveria, nëse të tjerët nuk janë në dispozicion dhe të zgjuar të kujdesen për gruan dhe ta mbajnë atë financiarisht.
Nëse ajo nuk dëshiron të punojë, ajo nuk e ka për detyrojë të punojë. Ajo e ka lirinë për të vendosur që të qëndrojë në shtëpi dhe ta kalojë kohën duke i rritur fëmijët e saj dhe duke u kujdesur për familjen, për jetën shoqërore dhe fetare.
Sidoqoftë, nëse ajo dëshiron të punojë, ajo nuk është e ndaluar ta bëjë këtë. Në të vërtetë, Islami e ka nxitur gruan ta edukojë veten, ta njohë Allahun dhe të drejtat e saj, pasi në këtë mënyrë ajo mund t’i edukojë fëmijët e saj.
Ajo nuk duhet për t’i lënë fëmijët e saj pa udhëheqje dhe shembull. Veç kësaj asaj i është dhënë detyra më e ndershme në univers, ajo më shumë është nxitur për t’u bërë nënë.
Gratë muslimane kanë të drejtë t’i zgjedhin burrat e tyre dhe ta mbajnë mbiemrin e tyre pas martesës.
Islami gjithashtu i nxit gratë të kontribuojnë me mendimet dhe idetë e tyre; ka shumë shembuj të grave të cilat ia ofruan mendimet e tyre rreth fesë, ekonomisë dhe çështjeve shoqërore Profetit Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).
Gjithashtu, dëshmia e gruas muslimane është e vlefshme në konfliktet gjyqësore.
Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
“Kërkimi i diturisë është urdhër për çdo musliman (mashkull dhe femër).”
Kjo përfshin mësimin e Kur’anit dhe Hadithit si edhe shtimin e diturisë në shkencë dhe në shumë lëmi të tjera. Meqenëse që të dy burri dhe gruaja kanë aftësi për mësim dhe kuptim, gruaja muslimane duhet të marrë shkollim adekuat me qëllim që ta ngrisë sjelljen e mirë dhe ta largojë sjelljen e keqe nga të gjitha sferat e jetës.
Megjithëse, mirëmbajtja e shtëpisë, mbështetja e burrit, kujdesi dhe mësimi i fëmijëve konsiderohen si përparësi për gruan, nëse ajo ka aftësi të punojë jashtë shtëpisë së saj për të mirën e familjes së saj ajo mund ta kryejë atë përderisa nuk i injoron detyrat kryesore të familjes së saj.
Veç kësaj, Islami tregon respekt të lartë për amësinë. Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Xheneti shtrihet nën këmbët e nënës.”
Kjo nënkupton se suksesi i shoqërisë gjendet te nënat e mira. Prandaj, gruaja duhet të jetë e edukuar dhe e ndërgjegjshme me qëllim që të bëhet nënë e shkathtë.
Katërmbëdhjetë shekuj më parë Islami ia dha gruas të drejtën e votës. Në ndonjë çështje publike; gruaja muslimane mund të votojë mendimin e saj dhe të marrë pjesë në politikë. Kjo i përforcon të drejtat e gruas për ta zgjedhur udhëheqësin e tyre dhe të deklarohet publikisht për këtë.
Për shembull, Abdurrahman Ibn Aufi është këshilluar me shumë gra para se ta rekomandojë Othman Ibn Afanin të bëhej halife./Koha Islame/
Përderisa kujdestaria dhe përgjegjësia kryesore financiare në Islam iu është dhënë burrave, gruaja muslimane ka privilegjin që të fitojë para, të drejtën për pasuri personale, të hyjë në kontratë legale dhe ta drejtojë tërë pasurinë e saj në mënyrën që dëshiron ajo. Ajo mund ta udhëheqë biznesin e saj dhe asnjëri nuk mund të kërkojë fitimin e saj duke përfshirë edhe burrin.
Allahu thotë në Kur’anin fisnik: “Mos lakmoni në atë, që Allahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato. Allahut kërkoni nga të mirat e Tij. Allahu është i dijshëm për çdo send.” (En-Nisa: 32)
Islami i çliroi gratë duke iu dhënë të drejta dhe detyra para 1400 vitesh të cilat shumë prej grave nuk i gëzojnë as sot, madje as në Perëndim.
Këto detyra dhe të drejta janë dhënë nga Allahu dhe janë përcaktuar për ta mbajtur ekuilibrin në shoqëri; çka mund të duket e padrejtë ose që mungon në një vend është kompensuar ose shpjeguar në një vend tjetër sepse Islami është mënyrë e kompletuar e jetës.
Allahu thotë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare.
E kush kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (Kur’an, El- Ahzabë: 36)-Përktheu: Fexhrie Kaçiu/Mesazhi/