Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se ka gjetur “lidhje të mundshme” në mes të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZenenca dhe një çrregullimi të rrallë të trashjes së gjakut, mirëpo ka thënë se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, kjo Agjenci nuk ka vënë kufizime të reja në përdorim të vaksinës për personat mbi 18 vjeç.
Agjencia në fjalë ka thënë se shumica e rasteve që janë raportuar me trashje gjaku, janë gra nën moshën 60-vjeçare, brenda dy javëve të vaksinimit.
Ajo ka thënë se bazuar në të dhënat aktuale, Agjencia nuk ka qenë në gjendje të identifikojë faktorë specifikë të rrezikut.
Ekspertët kanë rishikuar disa dhjetëra raste që janë raportuar në Evropë dhe Mbretëri të Bashkuar, ku 25 milionë persona kanë marrë vaksinën e kompanisë AstraZenenca.
“Rastet e raportuara të trashjeve jo të zakonshme të gjakut, pas vaksinimit me vaksinën e AstraZenecas, duhet të renditen si efekte të mundshme anësore të vaksinës”, ka thënë shefja ekzekutive e agjencisë, Emer Cooke.
Personave nën moshën 30-vjeçare do t’iu ofrohet vaksinë alternative në Mbretëri të Bashkuar
Personave nën moshën 30-vjeçare do t’iu ofrohet një vaksinë tjetër alternative kundër koronavirusit, dhe jo ajo e kompanisë AstraZeneca për shkak të të dhënave që lidhin këtë vaksinë me rastet e rralla të trashjes së gjakut, ka thënë të mërkurën Agjencia për Ilaçe dhe Kujdes Shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një kërkim të kryer nga kjo agjenci, është gjetur se deri në fund të muajit mars, 79 persona në Mbretërinë e Bashkuar janë përballur me trashje të rralla gjaku, pas vaksinimit.
Prej tyre, 19 kanë vdekur.
Rregullatori britanik ka thënë se kjo e dhënë nuk përbën provë se vaksina ka shkaktuar trashjen e gjakut, por lidhja po bëhet secilën herë më e fuqishme.
Rregullatori britanik ka thënë se efektet anësore janë jashtëzakonisht të rralla dhe se efekti i vaksinës është i dëshmuar, çka nënkupton se përfitimet e marrjes së vaksinës janë të mëdha për shumicën e personave.
Hezitimi për vaksinim
Më 29 mars Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka njoftuar se gjatë muajit maj Kosova do të furnizohet edhe me 76.800 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Në total, Kosova nga COVAX-i do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas. /rel