Agjencia Europiane e Barnave njoftoi se ka “filluar një rishikim të përshpejtuar të ilaçit antiviral oral molnupiravir” kundër COVID-19 të zhvilluar nga kompania farmaceutike Merck.
Nëse i jepet drita jeshile, ky do të jetë trajtimi i parë për koronavirusin që nuk ka nevojë të administrohet përmes gjilpërave ose infuzioneve intravenoze.
Në fillim të këtij muaji, Merck i kërkoi Administratës së Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara që të miratojnë molnupiravirin dhe një vendim pritet të merret së shpejti. Kompania ka raportuar më herët se pilula përgjysmon shtrimet në spital dhe vdekjet në mesin e pacientëve me simptoma të hershme të COVID-19.
Një pilulë antivirale që njerëzit mund të marrin në shtëpi për të reduktuar simptomat e tyre dhe për të përshpejtuar shërimin e tyre mund të jetë inovatore, duke lehtësuar mbingarkesën në spitale dhe duke ndihmuar në frenimin e shpërthimit të rasteve të reja në vendet e varfra dhe me sisteme të dobëta të kujdesit shëndetësor.
Gjithashtu autorizimi i një pilule do të forconte një qasje të dyfishtë ndaj pandemisë: trajtim, me anë të mjekimit dhe parandalim, kryesisht nëpërmjet vaksinimeve./ Euronews