Bashkëshortja e imamit të njohur Elvis Naçi ka ndarë për herë të parë historinë e tyre të dashurisë dhe zanafillat e saj. E ftuar në studion e emisionit “Ftesë në Pesë”, Fatma u rikthye pas në kohë; 17 vite më parë.
“Edhe pse kanë kaluar 17 vjet, Elvisi ka qenë për mua takimi i parë, ka qenë djali i parë që takoja. Kisha emocione pa fund. isha e shoqëruar nga motra ime. Mamin e kam pasur shoqen time më të mirë, vazhdoj ta kem. Pasi i shpjegova situatën, më dha leje.
“Kur u takuam, Elvisi u kërkoi shoqëruesve tanë që të kalonim në një tavolinë aty afër që të qëndronim pak vetëm. Unë isha gjatë gjithë kohës me sytë ulur dhe vetëm ai fliste, siç është edhe sot. Më thoshte, ‘ti je Fatma,’ unë thoja ‘po.’ ‘Ti je kaq vjeç,’ unë thoja ‘po.’ ‘Studion për këtë,’ unë thoja ‘po.’ Pastaj filloi të fliste për veten. ‘Unë jam filani, studioj për këtë, merrem me këtë.’ Pastaj filloi të fliste për një libër që kishte lexuar kohët e fundit a thua se ishim në një konferencë shkencore. Ka qenë shumë serioze. Pas një ore, vë re që unë isha shumë në siklet dhe mendon se duhet të çoheshim. Më thotë, ‘po të duash lëvizim, shkëmbejmë numrat dhe takohemi një herë tjetër kur të jesh më e qetë. Nëse do të takohemi.’ Unë shoh orën dhe vë re që ishte diku tek ora një. I them, ‘S’ka gjë se deri në pesë i kam marrë leje mamit,’” tha ajo.
Pas këtij monologu të Elvisit, takimet pasuan njëri-tjetrin. Nga monolog, biseda evoluoi në një konferencë shkencore. Thuajse gjysmë viti më vonë, dyshja u martua në sy të Zotit dhe ligjit.
“Ne vijuam të takoheshim. Sa herë që dilja në takim në Elvisin, e shoqëruar gjithmonë nga motra ose nga vëllai i tij me bashkëshorten, isha në një konferencë shkencore. Flisnim gjithmonë për librat që kishim lexuar, për aktualitetin e kohës. Elvisi ka qenë gjithmonë serioz.
“Nuk ka pasur një dasmë. Ne nga natyra jemi tipa shumë të rezervuar dhe nuk kemi dashur të bëjmë gjullurdi të madhe. Jemi mjaftuar me një ceremoni të vogël familjare, pasi vendosëm ta zyrtarizonim këtë lidhje,” rrëfeu Fatma.
Elvis dhe Fatma Naçi kanë 17 vjet të martuar dhe janë prindër të tre fëmijëve. Imami dhe gruaja e tij janë tejet të angazhuar në bamirësi. Madje, Fatma e quan bamirësinë “të dashurën” që i ha shumicën e kohës dhe lekëve Elvisit