Për dekada të tëra, Evropa ka inkurajuar punëtorët e huaj, me afmiljet e tyre, që të hyjnë në kontinent. Siç e ka pranuar vetë kancelarja Angela Merkel, askush më pas nuk priste që ata të qëndronin”, shkruan Douglas Murray në “The Wall Street Journal”.
“E megjithatë ata qëndruan, dhe numri i tyre u rrit edhe atëherë kur nuk kishte më vende pune për t’u ofruar. Të gjendura përballë rezultateve dështuese të politikave të tyre, shoqëritë evropiane i vetësajuan si “shoqëri shumëkulturore”, dhe më pas nisën të pyesin se çfarë dreqin nënkuptonte ky term.
Një shoqëri shumëkulturore, mund të paraqesë kërkesa e pretendimeve ndaj të ardhurve rishtaz? Apo do të ishte një qasje “raciste”? Që nga vitet 2000, imigrimi, i ligjshëm dhe i paligjshëm, ka nisur të rritet. Sirianët, në arati nga lufta civile, hynë në Evropë për t’u ndjekur më pas nga popujt e Afrikës nënsahariane, të Afrikës veriore, të lindjes së mesme dhe të largme. Sot, ky migrim i madh nuk shfaqet më në faqet e para, e megjithatë vazhdon. Në një fundjavë tipike, janë pothuaj 10 mijë personat që zbarkojnë vetëm në ishujt italianë.
Ku shkojnë? Çfarë presin? Dhe ne çfarë presim prej tyre? Për të gjetur përgjigjen e kësaj, si dhe pyetjeve të tjera, është e nevojshme të shohim më thellë. Përse Evropa vendosi se mund të priste të varfërit dhe të skamurit e botës? Përse vendosëm që, cilido në botë që ikte nga një luftë mund të vinte në Evropë dhe ta quante “shtëpi”? Arsyet, pjesërisht, i gjen në historinë tonë, dhe jo më pak në ndjenjën e fajit të gjermanëve, e cila është përhapur në të gjithë kontinentin dhe ka prekur madje edhe kushërinjtë tanë kulturorë, amerikanë dhe australianë.
Të inkurajuar nga ata që në thelb na duan të keqen, jemi bindur se jemi fajtorë, të denjë për ndëshkim, dhe se për këtë arsye kemi merituar ndryshimin që po ndodh në shoqëritë tona…
Kur më pas ndokush thekson aspektet negative të kësaj qasjeje – për shembull që, sa më shumë imigrim nga vendet myslimane, aq më shumë probleme krijohen, duke përfshirë edhe terrorizmin – ne zgjedhim shpjegimin final: nuk ka rëndësi, na thuhet, për shkak të globalizimit kjo është e pashmangshme dhe nuk mund të bëjmë asgjë.
Të gjithë këta instikte, të përmbledhur, shpien në vetëvrasje: janë simptoma të një vetëshfarosjeje të një kulture dhe një kontinenti. E megjithatë, është ende e mundur që publiku të mos mbështesë përjetësisht instiktet e udhëheqësve të vet”.
Sot, konkludon Murray, “më shumë diversitet mbetet thirrja e betejës e elitave, që këmbëngulin në faktin se publikut nuk i pëlqen, për shkak se ende nuk i ka ardhur në majë të hundës. Politikat e migrimit të elitave evropiane, politike dhe jo vetëm, sugjerojnë që ato kanë një instikt vetëvrasës. Gjëja interesante për t’u vëzhguar në vitet që do të vijnë, do të jetë reagimi i publikut. Të shohim nëse do e pranojë këtë pakt. Unë nuk do të vija bast”. / Përgatiti: Bota.al/Mesazhi/