Elfsborgu e prezanton Zenelin

Sulmuesi i krahut, Arbër Zeneli është bërë me skuadër.

Reprezentuesi i Kosovës, të enjten mbrëma është prezantuar te skuadra e Elfsborgut, që bën gara në elitën e futbollit të Suedisë.

Në fakt, Zeneli është rikthyer në futbollin suedez, aty ku i zhvillua si lojtar, pas shtatë vjetësh. Ai me Elfsborgun ka firmosur kontratë deri në vitin 2027.

“Elfsborgu ka kënaqësinë t’iu njoftoj se bashkë me Arbërin, ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2027. Arbëri do t’i bashkohet skuadrës menjëherë dhe do ta mbajë veshur fanellën me numrin nëntë”, ka shkruar Elfsborgu.

Zeneli tek Elfsborgu zhvilloi 62 ndeshje, ndërsa më pas i ishte bashkuar Heerenveenit në Holandë, në vitin 2016. Nga Heerenveeni u transferua te Reimsi francez, kurse së fundmi ishte pjesë e Adana Demirsporit.