Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS dhe te Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT.
Elektrosever, gjithashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji.
Këto obligime dalin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.
Si rezultat i këtyre obligimeve, kompania Elektrosever është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.
Rrjet distribuues në Obiliq.
Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Eletroerver “aktualisht pa klientë”
Në udhërrëfyesin që është bërë publik nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thuhet se brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Udhërrëfyesi, po ashtu, specifikon që “dhjetë ditë pas lëshimit të licencës për furnizim”, Elektrosever do t’i nënshkruajë marrëveshjet teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in.
Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, EPS thotë se licenca që Elektrosever e ka marrë nga ZRRE-ja “ende nuk është funksionale” dhe se “kompania aktualisht nuk ka klientë”. Më shumë detaje nuk jepen.
KOSTT-i: Elektrosever nuk i ka dërguar të dhënat brenda afatit
Se ende nuk i ka marrë të dhënat për konsumatorë, e konfirmon edhe vetë KOSTT-i.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ky operator i transmisionit thotë se kompania Elektrosever nuk ka vepruar në përputhje me pikën e dytë të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.
KOSTT-i shton se marrëveshjet e nevojshme teknike “janë nënshkruar” nga ana e tij, “në përputhje me format standarde të këtyre marrëveshjeve, të aprovuara nga ZRRE-ja” dhe se ato “janë dërguar për nënshkrim tek Elektroseveri, në afatin e paraparë sipas udhëzuesit”.
“Por, ende nuk i kemi pranuar të njëjtat të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi në pritje të konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.
Çfarë thuhet në veri për pagesën e rrymës?
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe te KEDS-i në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
REL i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës me pyetjen se çfarë e pason mosrespektimin e afateve nga Elektroseveri, por nuk ka marrë përgjigje.
Nga BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, thonë se presin që “të dyja palët t’u përmbahen hapave të rënë dakord dhe t’i zbatojnë ata në kohën e duhur”.
“BE-ja, gjithashtu, u bën thirrje të dyja palëve që të bëjnë përparim në të gjitha punët e tjera të pazgjidhura, që lidhen me zbatimin [e marrëveshjes]”, thuhet në një deklaratë nga Zyra për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, dërguar REL-it.
Tarifat e Elektroseverit nuk janë subjekt i miratimit nga ZRRE-ja
Në deklaratën që EPS i ka dhënë REL-it thuhet, po ashtu, se Elektrosever “është licencuar për furnizim komercial” në Kosovë dhe se “mund t’i vendosë çmimet e veta” për konsumatorët.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës konfirmojnë se Elektrosever, në bazë të licencës që ka, mund ta caktojë vetë çmimin.
“Tarifat, me të cilat Elektrosever do t’i faturojë konsumatorët, nuk do të jenë subjekt i miratimit nga ZRRE-ja”, thotë kjo zyrë.
Sipas saj, subjekt i miratimit nga ZRRE-ja janë vetëm tarifat që vendosin kompanitë për shërbim publik, në këtë rast Kompania kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).
ZRRE shton se Elektrosever “do të jetë i obliguar që t’i zbatojë tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, ashtu siç miratohen nga ZRRE-ja”.
Ku mund të furnizohet Elektrosever?
EPS thotë se Elektrosever “mund të blejë energji elektrike në treg, ose nga themeluesi, gjegjësisht nga vetë EPS-ja”.
“Është i njohur fakti se në Kosovë nuk ka energji të mjaftueshme dhe se ajo importohet, sidomos në dimër”, thotë EPS.
Fadil Ismaili, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, pohon se Elektrosever ka licencë për furnizim komercial dhe se në treg mund të blejë energji elektrike nga cilido furnizues. Por, shton ai, marrë parasysh që Elektrosever duhet t’u nënshtrohet tarifave të KOSTT-it dhe KEDS-it për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, atëherë është pikëpyetje nëse çmimet që ofrohen te konsumatorët, do të jenë të përballueshme ose jo.
“Do të thotë, çmimet do të jenë tri apo katër herë më të shtrenjta në veri sesa këndej [në pjesën tjetër të Kosovës]… Normalisht, nuk do të ndodhë ashtu. Sigurisht që ata do të kenë nevojë që ta bëjnë ndonjë skemë të tyre dhe unë po dyshoj që ata do ta marrin energjinë prej Serbisë”, thotë Ismaili.
Që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, në katër komunat veriore të vendit – Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan – qytetarëve nuk u janë faturuar shpenzimet e energjisë elektrike dhe ata nuk kanë paguar.
Deri në vitin 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.
Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.
Ky vendim më vonë është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i, që është kompani publike e Kosovës.
Një njehsor i energjisë elektrike në Mitrovicën e Veriut më 9 shkurt 2022.
Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes për Energji do të duhej të shënonte mbylljen e kapitullit të mbulimit të shpenzimeve nga KOSTT-i, përkatësisht subvencionet e ndara nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Por, sipas Ismailit, nëse çmimet që do t’i faturojë Elektrosever në të ardhmen, do të jenë të papërballueshme për qytetarët në veri, një gjë e tillë mund t’ia hapë rrugën Serbisë që t’i mbulojë ato shpenzime.
“Nuk e di se si mund të ndalet, nëse ata duan [ta bëjnë këtë]”, thotë Ismaili.
Qytetarët në pjesë të tjera të Kosovës – jashtë veriut – nga shkurti i këtij viti përballen me tarifa më të shtrenjta të rrymës, që i ka miratuar ZRRE-ja në vazhdën e një krize energjetike në botë. Shtrenjtimi, megjithatë, ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji.