Elefanti më i vogël në botë është në rrezik zhdukjeje pasi gjenden vetëm 1000 të tillë, por ka shpresa për shpëtimin e kësaj specieje.
IUCN, organizata që përpilon listën e kuqe të specieve të rrezikuara, thotë se elefanti i Borneos ka humbur një pjesë të madhe të habitatit të tij si pasojë e shpyllëzimit.
Elefanti është 90 cm më i vogël sesa llojet e tjera që gjenden në Azi dhe është gjallesë endemike e ishullit të Borneos. Ai dallohet për natyrën e butë dhe lozonjare.
Ka shpresa se elefanti mund të shpëtohet përmes programeve të ruajtjes. Lista e kuqe mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin e situatës së vështirë dhe të rrisë mbështetjen.
Elefantët e Borneos kanë jetuar në ishull për mijëra vjet, të ndarë nga elefantët e tjerë duke zhvilluar një popullatë të veçantë. Kërcënimi i tyre kryesor është shpyllëzimi që u shkatërron habitatin dhe i vendos përpara konfliktit me njerëzit.
Tashmë në natyrë gjenden vetëm 1000 prej tyre, të shtrirë kryesisht në Sabah, në Borneon malajzian.