Në derën e një xhamie në qytetin Pont-de-Beauvoisin në jug të Francës është vendosur koka e prerë e një derri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës lokale Le Dauphine, besimtarët të cilët kanë shkuar në xhami për ta falur namazin e sabahut kanë hasur kokën e derrit, të varur në derën e xhamisë.
Bëhet e ditur se Shoqata e xhamisë do të paraqesë ankesë penale ndërsa edhe zyrtarët e policisë kanë filluar hetimet lidhur me rastin.
Kjo xhami ishte sulmuar edhe më parë, kur në vitin 2014 në të ishin shkruar mbishkrime raciste.
Shtëpia Kombëtare e Observimit Kundër Islamofobisë në Francë (ONCI), e cila vepron në kuadër të Këshillit Islamik të Francës (CFCM), në raportin e publikuar në muajin janar njoftoi se në Francë gjatë vitit 2016 janë regjistruar 182 sulme kundër muslimanëve.