Ekspertët e pavarur: Kosovës nuk i është rritur territori, Mali i Zi fiton 70,44 kilometra katror

Ekspertët e pavarur, kanë paraqitur fakte për vijen e demarkimit me Malin e Zi, ku kanë thënë se sipërfaqja e Kosovës nuk është rritur, por se vendi ka humbur territor.

Shpetim Bulliqi, ka thënë se të arriturat përfundimtare të analizës së territorit të Kosovës dhe Malit të Zi thonë të kundërtën që Komisioni për matjen e territorit ka dhënë ditë më parë.

Sipas tij, “u konstatua se Mali i zi çdoherë paraqitet me sipërfaqe të njëjtë në të gjitha etapat e zhvillimit të tij”, raporton lajmi.net.

Ndërsa siç tha ai, sipërfaqja e Kosovës është paraqitur më sipërfaqe të ndryshme, për shkak të mos demarkimit të vijës kufitare me shtetet fqinjë, siç është Mali i Zi dhe Serbia.

Ekspertët thanë, se Mali i Zi, pas aprovimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, do t’i rritet sipërfaqja në 13.882.44 që do të thotë për 70.44 kilometra katror më shumë.

“Mali i Zi që nga viti 1945 deri më 2015 ka prezantuar se kishte sipërfaqe territoriale prej 13.812 km2, kurse pas nënshkrimit të marrëveshjes rezulton të ketë më shumë në 13.882.44 km2 apo 70.44 kilometra katror më shumë”, ka thënë Bulliqi.

Ai tha, se rritja e sipërfaqes së Malit të Zi, nuk është rritur me asnjë fqinjë tjetër përveç me Kosovën, e cila rritje është në dëm të madh të vendit.

“Si përfundim, u konstatua se Kosova humb territor, ndërsa Mali i Zi rrit territor për 70.44 kilometra katror”, u tha në mbledhjen e ekspertëve të pavarur.

Ata thanë se “jemi të gatshëm të paraqesim rezultatet e arritura me këdo qofshin edhe me politikanë, ekspert, media, shoqëri civile të gjithë ata që dëshirojë të shikojnë këto përfundime tona dhe të dëshmojnë se të dhënat janë të sakta.” /