Ekspertët britanikë: Ja një ilaç i lirë, që shpëton pacientet me Covid-19

Një ilaç i lirë dhe i disponueshëm në treg, i quajtur dexamethason, mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës së pacientëve seriozisht të sëmurë me koronavirus. Ekspertët britanikë thonë se një dozë e ulët e trajtimit me steroid, është një arritje e madhe në luftën kundër virusit vdekjeprurës. Ai redukton rrezikun e humbjes së jetës ne një të tretën për pacientët në ventilator. Për ata në oksigjen ai e redukton rrezikun ne një të pestën. Ilaçi është pjesë e testimit më të madh në botë të trajtimeve ekzistuese për të parë nëse funksionojnë me koronavirusin.

Kërkuesit vlerësojnë se nëse ilaçi do të kish qenë i disponueshëm në Britaninë e madhe që nga fillimi i pandemisë më shumë se 5 mijë jetë njerëzish do të ishin shpëtuar. Për faktin se ai është i lirë, do të sillte në të njëjtën kohë edhe një përfitim të madh për vendet e varfra që përballen me numra të lartë pacientësh me covid 19

Ilaçi përdoret aktualisht për të reduktuar inflamacionin në një varg sëmundjesh të tjera dhe duket se ndihmon në ndalimin e disa dëmeve që mund të ndodhin kur sistemi imunitar i organizmit mbireagon ndërsa përpiqet të luftojë koronavirusin. Mbireagimi i trupit quhet stuhi citokinë dhe mund të jetë vdekjeprurës. Në testimin e udhëhequr nga universiteti i oksfordit, rreth 2 mijë pacientë spitali iu dha dexamethasoni dhe u krahasuan me rreth 4 mijë të tjerë që nuk e morën ilaçin. Dhe rezultatet ishin shumë shpresëdhënëse.