Ekspertët amerikanë votojnë pro dozës tre të vaksinës, por vetëm për dy kategori

Paneli këshillimor federal amerikan refuzoi me shumicë dërrmuese planin për t’i dhënë pjesës më të madhe të amerikanëve dozën e tretë të vaksinës. Në vend të kësaj ata ranë dakord se doza shtesë duhet të aplikohet ndaj vetëm dy kategorive: Për personat mbi 65 vjeç dhe ata që vuajnë nga sëmundje të rrezikshme dhe të rënda.

Votimi kundër dozës së tretë për popullatën e gjerë i jep goditje përpjekjes masive të administratës së Presidentit Biden për të forcuar mbrojtjen e pothuajse gjithë amerikanëve përballë përhapjes së variantit shumë ngjitës Delta.

Vendimi u mor nga komiteti i ekspertëve të jashtëm që këshillojnë Administratën e Ushqimit dhe Barnave.

Në votimin e të premtes, paneli i ekspertëve hodhi poshtë, me një votim 16-2, vaksinat përforcuese për pothuajse të gjithë popullsinë. Anëtarët cituan një mungesë të të dhënave të sigurisë për dozat shtesë dhe gjithashtu ngritën dyshime në lidhje me vlerën e përdorimit masiv të vaksinës së tretë, përkundër fokusimit tek grupe të veçanta.

Në vazhdim, në një votim 18-0, paneli miratoi vaksinën shtesë për kategoritë e të moshuarve dhe ata me sëmundje serioze.

Votimi i së premtes ishte hapi i parë. Pasi FDA-ja pritet të marrë një vendim final për dozën përforcuese në ditët e ardhshme, megjithëse zakonisht ndjek rekomandimet e komitetit.

Shkencëtarët brenda dhe jashtë qeverisë janë ndarë gjatë ditëve të fundit lidhur me nevojën për dozat përforcuese dhe se kush duhet t’i marrë ato, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kundërshtuar me forcë që kombet e pasura të bëjnë një raund të tretë të injeksioneve, kur vendet e varfra nuk kanë vaksina të mjaftueshme as për raundin e parë.

Ndërsa hulumtimet sugjerojnë se nivelet e imunitetit tek ata që janë vaksinuar zvogëlohen me kalimin e kohës dhe dozat përforcuese mund ta rikthejnë atë, vaksina Pfizer është ende shumë mbrojtëse kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve, madje edhe në përhapjen e variantit shumë ngjitës delta.

Ndërkaq, Britania ka nisur tashmë fushatën e vaksinimit me dozë të tretë, fillimisht për stafet mjekësore. /voa