Kosova është duke kaluar nga një krizë politike në tjetrën dhe kjo ka ngufatur ekonominë e cila sivjet pritet të goditet më së rëndi në dhjetë vjetët e fundit, thonë ekspertë të ekonomisë.
Ekspertët konsiderojnë se humbjet në ekonomi do të jenë edhe më të mëdha gjatë dhe pas pandemisë së COVID-19, derisa institucionet dhe liderët politikë në Kosovë vënë si prioritet çështjet politike dhe lënë anash ato ekonomike.
Kjo situatë, thonë ekspertë të ekonomisë, ka penguar institucionet në gjetjen e alternativave për të ndihmuar ekonominë në këtë kohë krize nga pandemia, ndonëse me këtë vlerësim nuk pajtohen zyrtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Safet Gërxhaliu, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë procese ekonomike në Kosovë gjatë kësaj kohe kanë mbetur peng i një jostabiliteti politik i cili është krijuar në Kosovë.
“Jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur të krijuar në Kosovë. Duhet të pranohet që Kosova ka hyrë nga kriza në krizë ekonomike. Jostabiliteti politik në aspektin psikologjik është duke ngufatur shpresën te qytetarët. Shumë procese kanë mbetur peng i një diskursi të tillë politik. Ajo çka është më shqetësuese është se edhe pandemia si pandemi është e politizuar”, thotë Gërxhaliu.
Kosova që nga 25 marsi funksionon me qeveri në detyrë, pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Gërxhaliu shton se e gjithë kjo situatë politike e cila ka mbizotëruar në vend, ka bërë që të mungojnë strategji dalëse për problemet me të cilat po përballet ekonomia e Kosovës gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.
“Politika duhet të jetë në funksion të sanimit dhe jo në funksion të protagonizimit dhe të shfrytëzimit të kësaj pandemia për populizëm. Sfidat janë të mëdha dhe duhet të mësojmë nga përvojat e vendeve të ndryshme. Ekonominë dhe zhvillimin ekonomik duhet të kemi prioritet, dhe vetëm në këtë mënyrë mund të minimizohen efektet negative”, thotë Gërxhaliu.
FMN: Ekonomia e Kosovës mund të tkurret 5 për qind
Zyrtarë të qeverisë në detyrë, ndërkohë thonë se agjenda politike nuk ka penguar në asnjë mënyrë hapat që është dashur të merren gjatë kohës së pandemisë, në aspektin ekonomik.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë në detyrë, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë miratuar një Pako Emergjente Fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, e cila është në zbatim dhe se janë duke e hartuar edhe pakon e dytë e cila ka në fokus vetëm rimëkëmbjen ekonomike.