Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit s’po i përgjigjet ministrit Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka publikuar tri vendime të qeverive të kaluar për “Ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai ka thënë se këto vendime i ka bërë publike pasi si ministri kanë marrë shumë pyetje dhe kërkesa për qasje në dokumente publike lidhur me këto vendime.

“Më lejoni që të ju njoftoj se për këtë ekip, janë gjithsej tre vendime të Ministrisë së Pushtetit Lokal të tre qeverive të ndryshme, që janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë Mustafa. Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë Hoti”, ka shkruar Krasniqi në Facebook

Sipas tij “nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”.

“Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit menaxhues”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se më 18 prill i është drejtuar me ftesë për takim këtij Ekipi, por se ende nuk ka marr përgjigje.

“Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, ka shkruar Krasniqi.