Egjipti dhe Katari kanë shprehur shpresën se marrëveshja e armëpushimit midis Libanit dhe Izraelit do të çojë në de-përshkallëzimin e rajonit, transmeton Anadolu.
Presidenca egjiptiane njoftoi se presidenti Abdel Fattah al-Sisi u takua në Kajro me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ku ata “pohuan aspiratën për të ndërtuar marrëveshjen e armëpushimit për të arritur një qetësi gjithëpërfshirëse në rajon”.
Ata theksuan rëndësinë e “fuqizimit dhe mbështetjes së të gjitha institucioneve shtetërore libaneze, kryesisht ushtrisë, për të mbrojtur sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit”.
Takimi gjithashtu trajtoi përpjekjet e përbashkëta që synojnë arritjen e një armëpushimi në Gaza, lirimin e të burgosurve dhe lejimin e hyrjes pa kushte të ndihmave humanitare në enklavën palestineze.
Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi sot herët, me synimin për t’i dhënë fund luftimeve 14-mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit libanez Hezbollah që nga fillimi i luftës në Gaza.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheq forcat e tij në jug të ‘Linjës së Kaltër’ në faza, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në Libanin jugor brenda një periudhe jo më shumë se 60 ditë.
Të enjten e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një rast gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën brutale në Gaza, ku që nga tetori i vitit të kaluar janë vrarë të paktën 44.300 palestinezë.