Egjipti dërgon ushtarë në Siri për të luftuar në radhët e regjimit të Assadit

Mësohet se Egjipti ka dërguar rreth 150 ushtarë në Siri për të luftuar në radhët e regjimit të Bashar al-Assadit, duke u vendosur në jug të Idlibit dhe linjave të frontit në pjesët rurale të Halepit Perëndimor në koordinim të Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve tjera terroriste të mbështetura nga Irani, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacionit që AA ka siguruar nga burimet opozitare ushtarake, rreth 150 ushtarë që kanë ardhur nga Egjipti, para disa dite zbarkuan në aeroportin ushtarak Hama, që është nën kontrollin e regjimit të Assadit.

Ushtarët të cilët veprojnë nën koordinimin e Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve tjera terroriste të mbështetura nga Irani, u ndanë në dy grupe.

Një pjesë e tyre arritën në rajonin Han Asel në pjesën rurale perëndimore të Halepit, ndërsa pjesa tjetër në rrethin Serakib në jug të Idlibit.

Ushtarët të cilët në duart e tyre kishin armë të lehta, u vendosën në linjat e frontit në rajonet në fjalë.

– Gjendja në zonën e deeskalimit në Idlib

Në takimin e mbajtur në Astana më 4-5 maj 2017, Turqia, Rusia dhe Irani u pajtuan për katër zona të deeskalimit në Idlib dhe provincat fqinje (Latakia, Hama dhe Aleppo), por regjimi dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani, me mbështetje ajrore ruse, morën nën kontroll tre prej këtyre zonave të deeskalimit, me përjashtim të Idlibit.

Qindra mijëra civilë që ikën nga sulmet kanë emigruar në vendet afër kufirit turk. Gjithashtu, sulmet vazhduan për një kohë të caktuar edhe pas Marrëveshjes së Soçit, e arritur më 17 Shtator 2018 nga Rusia dhe Turqia. Pas një armëpushimi të shkurtër, në maj të vitit 2019, forcat e regjimit filluan operacione tokësore për të pushtuar të gjithë territorin.

Në këto operacione të regjimi dhe përkrahësve të tij, u pushtuan zona të konsiderueshme rreth Idlibit, zona në veri dhe lindje të Hamas, si dhe zonat rurale në jug dhe perëndim të Halepit. Që prej nënshkrimit të marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në 17 Shtator 2018, mbi 1.800 civilë janë vrarë dhe afro 2 milionë janë zhvendosur nga sulmet e regjimit dhe Rusisë në zonën e deeskalimit në Idlib.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi më 10 janar se Turqia dhe Rusia kishin rënë dakord për një armëpushim që do të fillonte më 12 Janar 2020, por regjimi i Asadit dhe aleatët e tij vazhduan sulmet në Idlib, duke e injoruar armëpushimin. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti rus Vladimir Putin siguruan një marrëveshje të re më 5 mars. Marrëveshja e fundit e armëpushimit hyri në fuqi më 6 mars 2020.

Edhe përkundër shkeljeve të kohëpaskohshme nga ana e forcave të regjimit, armëpushimi respektohet në masë të madhe.