Egjipt, rritet në 309 numri i të vdekurve nga sulmi ndaj xhamisë

Numri i të vdekurve në sulmin terrorist ndaj xhamisë në qytetin Al-Arish, në pjesën veriore të Sinait, Egjipt, është rritur në 309, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor të Sinait të Veriut bëhet e ditur se numri i të vdekurve në sulm, i cili është kryer të premten, është rritur në 309 persona.

Ndërsa Prokuroria e Egjiptit përmes një deklarate konfirmoi se sulmi është kryer nga pjesëtarët e organizatës terroriste DEASH dhe se në sulm ishin përfshirë 25 deri në 30 terroristë.

Terroristët dyshohet se në xhami erdhen me pesë automjete dhe se gjatë sulmit ata dogjën një automjet. Ata pastaj u përpoqën të parandalojnë automjetet e emergjencës për të arritur në vendin e sulmit.

Xhamia në të cilën ndodhi sulmi i takon tarikatut dhe ndodhet 20 kilometra në lindje të qytetit Al-Arish.