Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi tha se vendi i tij po i vazhdon përpjekjet për të zbutur tensionet midis palestinezëve dhe izraelitëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komentet e tij u publikuan në një deklaratë nga presidenca egjiptiane pas takimit të al-Sisit me ministrin e Jashtëm izraelit Yair Lapid, i cili mbërriti në Kajro të enjten për një vizitë pune.
Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry dhe kreu i inteligjencës egjiptiane Abbas Kamel, ndër të tjerë, po ashtu morën pjesë në takim.
“Në takim u diskutua për bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve në fusha të ndryshme dhe çështje me interes të përbashkët në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
Al-Sisi tha se vendi i tij do të vazhdojë “përpjekjet për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse dhe të drejtë në Lindjen e Mesme në bazë të zgjidhjes me dy shtete dhe referencave të legjitimitetit ndërkombëtar”.
Ai gjithashtu theksoi “përpjekjet e Egjiptit për rindërtim në Gaza”, sipas deklaratës.
Nga ana tjetër, Lapid tha në Twitter se ai diskutoi me presidentin egjiptian projektin e tij të quajtur “ekonomia për paqe” në Rripin e Gazës dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria e Izraelit në lidhje me çështjen palestineze.
Shtatorin e kaluar, ministri i Jashtëm izraelit kishte shpallur një plan për të përmirësuar kushtet e jetesës së palestinezëve në Gaza, me kusht që Hamasi të ndalonte sulmet e tij kundër Izraelit, duke shtuar se plani i tij nuk përbënte një politikë zyrtare të qeverisë.
Lapid tha gjithashtu se ai foli me al-Sisin për çështjet e sigurisë, duke përfshirë “përpjekjet e Iranit për t’u shndërruar në një vend me aftësi ushtarake bërthamore, përballjen me elementët terroristë dhe paqëndrueshmërinë në rajon”.
“Forcimi dhe thellimi i marrëdhënieve izraelito-egjiptiane në fushat politike, të sigurisë dhe ekonomike është një interes jetik i shtetit të Izraelit”, tha Lapid.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të çuar përpara interesat e përbashkëta në stabilitetin rajonal”, shtoi ai.
Gjatë ditës së enjte, Lapid mbërriti në Kajro për bisedime me zyrtarë të lartë egjiptianë.
Në Twitter, Lapid tha se vizita vjen për të “forcuar dhe thelluar” lidhjet midis Izraelit dhe Egjiptit.
Në shtator, kryeministri izraelit Naftali Bennett vizitoi Egjiptin në udhëtimin e parë zyrtar pas dhjetë vitesh dhe u takua me al-Sisin.
Në vitin 1979, Egjipti dhe Izraeli nënshkruan një traktat paqeje në Washington, duke i dhënë fund konfliktit ushtarak midis dy vendeve. /aa