“Kur populli çohet peshë, Zoti çon bela mes atij populli.” – thënie që shumë shpesh e pata dëgjuar nga të vjetrit qysh kur isha i ri, por vonë e kam kuptuar domethënien e saj. Jo më larg se 21 vjet më parë, ne si popull e patëm luftën që na solli shumë tragjedi.
Eh, po e tregoj një ngjarje të vërtetë që pati ndodhur në luftën e fundit në Kosovë – ndodhi që tregon se sa “të dashur” jemi kur ndihemi ngushtë.
Një vushtrrias, rreth 50 vjeç, ndez traktorin në rimorkion e të cilit e kishte futur familjen e vet dhe disa nga farefisi. Nisen drejt Shqipërisë, ashtu siç kishin urdhëruar forcat serbe. Në të kundërtën, do të digjej i gjithë fshati dhe do t’i vrisnin kushdo që do të gjendej aty.
Kolonë e gjatë automjetesh…, njerëzit i bashkoheshin kolonës edhe duke ecur në këmbë, duke harruar se sa larg është kufiri i Shqipërisë. Eh, shpirti i ëmbël!
Vushtrriasi rrëfente çastin kur njerëz të panjohur hipnin në bigën e rimorkios, rreth 10 vetë.
“O djem, kujdes bre se me ba me ra prej bigës, ju shkel prekolica edhe ju mytë vallahin!” – vushtrriasi tregonte çastet e vështira.
“Nashtë bre vlla, mytna krejt veç mos na zbrit prej traktorit!” – i thoshin të panjohurit.
Sa të afërt e solidarë, të dashur e të respektuar…!
Besoj secili prej nesh kemi parë raste të ngjashme, për të cilat kemi çfarë të rrëfejmë. Por, sa shpejt e harruam këtë “dashuri”.
Pse po e lidhi me pandeminë botërore e quajtur koronavirus, apo Covid-19.
E thjeshtë!
Për të treguar se sa të ligë jemi, e sa fals dimë të paraqitemi në situata kur kemi interesa nga tjetri, e kur “bira e minit kushton 3 mijë pare”.
Në kohën kur shpërtheu virusi në Kinë, me njerëzit që kam biseduar, por edhe unë, kemi menduar se është diçka e shpikur për përfitime të caktuara. Ndoshta edhe mund të jetë, nuk e di, nuk e njoh këtë fushë. Pati edhe hipoteza se një gjë e tillë është krijuar në laborator nga dora e njeriut. Ndoshta është e vërtetë, nuk e di, nuk e njoh këtë fushë.
Padyshim se është shumë e dhimbshme për të gjithë ata që e kanë përjetuar në lëkurën e tyre, qoftë për viktimat, familjarët e tyre, por edhe për të prekurit që janë shëruar apo që vazhdojnë të kurohen. Secili prej nesh mund të gjendemi së situatën e tyre.
Në këtë fatkeqësi kam parë shumë gjëra të mira – të paktën në vendin tonë, në Republikën e Kosovës.
Njerëzit nisën të afroheshin mes njëri-tjetrit, sikur i harruam më të dashurit e tyre – ndoshta nga logjika: ky është i imi dhe s’ka ku të shkojë; nisi të kthehej “solidariteti vëllai për vëllain” – sikur harruam se nga një bark kemi dalë; sikur u zhdukën edhe hasmëritë – që edhe ashtu i krijuar kot – nga inatet e lakmia për dynjanë, duke harruar se jemi të përkohshëm në këtë botë.
Na ishte bërë shtëpia ujk, fëmijët po çmallen me prindërit, e këta të fundit e mësuan se çfarë ngjyre kanë sytë e fëmijët e tyre, duke mos pasur kurrë kohë për ta, thuajse jeta është për të punuar.
“Njeriu duhet të punojë për të jetuar dhe nuk duhet të jetojë për të punuar!” – këtë thënie e pata nxjerrë nga vetja shumë vjet më parë, në një çast interesant, por që nuk është temë e këtij shkrimi. Por që po del të jetë thënie që u mbijeton kohërave.
Përderisa fuqitë botërore garojnë me armë bërthamore, del diçka e padukshme dhe ua hedhë në ujë ato, të cilat nuk mund t’i përdorin kundër një armiku të padukshëm, siç është koronavirusi.
U testua edhe fuqia shkencore në fushën e shëndetësisë. Derisa shkenca flet për krijimin e robotëve, si formë e zëvendësimit të njeriut, del diçka që u tregon se ata robotë nuk mund t’u sjellin dobi as atyre që i krijuan.
Paraja…, ehh, paraja – mjet jetese, por ja që nuk po kryeka punë në çdo rast! Kur sëmundja e godet skamnorin, mendja i shkon menjëherë te paratë, të cilat i duhen domosdo për shërim. Sigurisht se të varfrit mendja i shkon edhe të pasanikët – te ata që mendojnë se gjithçka blihet me para.
Por del një virus që u tregon se paraja është gjithçka, por në fakt nuk është asgjë! Edhe pasanikët u vendosën në karantinë, në kërkim të shpëtimit nga koronavirusi. U ndërprenë edhe linjat ajrore, tokësore e detare, që i bie se paraniku, edhe po të dojë, nuk mund të udhëtojë dot në një vend tjetër për të kërkuar strehim nga ky virus. E ku të gjejë strehim kur e gjithë bota është kthyer në karantinë, u mbyllën edhe kufijtë.
Pra, kjo tregon se sa të ligë jemi…!
“S’po du sen tjetër, veç me shpëtu prej këtij virusi!” – ka qenë dhe ende është dëshira e vetme ndër njerëz në këtë kohë pandemie botërore. E çka po na mbetet pra në këtë jetë? Paraja? Shtëpia? Vetura luksoze? …? …? …?
E them shpesh: “Pse njerëzit gjatë tërë jetës së tyre investojnë në gjëra që blihen me para, e që kanë aq pak vlerë, kurse fare nuk investojnë në gjëra që nuk blihen, por që e kanë vlerën e botës, e besa edhe më shumë se kaq?!
Ndoshta pak e paqartë kjo thënie, por po e sqaroj. Ato që blihen janë: vetura, shtëpia, rrobat, telefoni…, aeroplani, …, të cilat për një çast mund të mos ekzistojnë më. Ato që nuk blihen dhe që qëndrojnë gjithmonë janë: fjala e mirë, respekti, ndihma, solidariteti, buzëqeshja, dashuria…
Pra, nga kjo na del se tërë jetën jepemi pas gjërave që nuk kanë vlerë! Me këtë gjë kam përshtypjen se nuk po e arsyetojnë qëndrimin mbi dy këmbë, si qenie e përsosur e krijuar nga Zoti.
Prandaj, thirrja ime për vete dhe për ju është: të afrohemi mes njëri-tjetrit, ta duhemi mes vete – pa hile, ta kritikohemi e të përmirësohemi mes vete. Tek e fundit e kemi një mision – ta bëjmë botën më të bukur. Druaj se moszbatimi i kësaj të fundit, na është kthyer në bumerang me viruse e sëmundje të ndryshme. Mbi të gjitha, Toka mund të kujdeset për vete edhe pa ne – ajo na është ofruar si shërbim për ne.
Të jemi të sinqertë në atë që e bëjmë dhe të mos jetojmë me maska dhe ta kryejmë misionin tonë si njerëz!
Paqe e selam nga karantina!